Në mbarë botën raporti mes resë dhe vjehrrës gjithmonë ka qenë problematike, saqë besohet se femrat në këtë relacion assesi nuk mund të funksionojnë bashkërisht. Kuptohet, kjo nuk është e vërtetë, edhe pse për hir të vërtetës, konfliktet në mes tyre janë relativisht të shpeshta.
Shumica prej nesh, di raste marrëdhëniesh të tilla, të të dy skajeve: nuse dhe vjehërr që kanë një marrëdhënie të ngrohtë, miqësore, me dashuri dhe kujdes dhe marrëdhënie plot mosmarrëveshje, në një betejë pafund. Por, kuptohet që ka edhe raste të ndërmjetme. Dhe, secila ka diçka për të thënë…
Të jesh vjehrrë e mirë:
▪ Fillimisht pranojeni nusen si dikë që e ka zgjedhur djali juaj sipas shijeve të tij.
▪ Kini gjithnjë parasysh se nusja dhe djali kanë jetën e tyre. Mos kërkoni të dini gjithçka për aktivitetet jashtë shtëpisë. Sa më pak t’i pyesni, aq më me dëshirë ata mund t’ju përfshijnë vetë.
▪ Mos merrni vendime për gjëra që i takojnë nuses, edhe pse jetoni së bashku, duke hamendësuar, pa e pyetur më parë. Për shembull, mos e rregulloni krevatin e çiftit, sidomos pasi e keni vënë re se nuses nuk i pëlqen kjo gjë.
▪ Mos merrni vendime me kokën tuaj sidomos në lidhje me fëmijët. Për shkollën e tyre, rregullat, oraret apo aktivitetet jashtëshkollore vendosin prindërit.
▪ Përpiquni të kuptoni me dashamirësi se cilat janë sjelljet tuaja që nuk pëlqehen, për të mos i përsëritur ato. Kështu keni shumë shanse për të mos u konfliktuar.
▪ Respektoni frymën e re në dekorimin e shtëpisë. Vlejnë gjithnjë konceptet bashkëkohore.
▪ Largohuni me mençuri në moment kur duhet të lihet çifti vetëm. Për shembull: nëse djali do të niset për një udhëtim, takojeni në mbrëmje dhe jo herët në mëngjes, kohë në të cilën ai do të ndahet me të shoqen.
Disa këshilla për nuset:
▪ Ashtu si për vjehrrat, të jesh një nuse e mirë është e rëndësishme për klimën familjare.
▪ Vjehrra është nëna e bashkëshortit dhe gjyshe e fëmijëve tuaj, pra një pjesë shumë e rëndësishme e familjes.
▪ Mos u ankoni çdo ditë që jetoni me vjehrrën. Nëse e keni pranuar këtë fakt që në fillim mundohuni të bashkëjetoni me qytetari me të. Pranojeni si pjesë të familjes dhe mos mendoni se lumturia juaj varet prej saj.
▪ Nëse vjehrra kritikon pamjen, stilin tuaj të prindërimit etj., përballuni me të në moment dhe jo pas disa kohësh ose në mbrëmje t’i ankoheni bashkëshortit. Reagoni qartë, pa agresivitet, për gjërat që nuk ju pëlqejnë, si p.sh: në rritjen e fëmijëve.
▪ Mos reagoni për pakënaqësitë tuaja kur fëmijët janë të pranishëm.
▪ Nëse për shkak të moshës nuk ju pëlqen që ajo të angazhohet me gatimin, larjen e enëve apo punë të tjera, thojani me qetësi, pa e fyer, duke i ofruar një punë tjetër për të cilën ju do të kishit më shumë nevojë ta bënte ajo. Ose, për shembull, tregojini se do të ishte më mirë të kujdesej për lulet.