Çfarë duhet të dini rreth derbit të Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës?

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Dy gjigantët spanjollë, Real Madridi dhe Atletico Madridi, janë kualifikuar tashmë në finale të Superkupës së Spanjës, e cila do të zhvillohet në stadiumin King Abdullah Sports City në Arabi Saudite.

Dy skuadrat që s’fituan asgjë sezonin e kaluar tani do të tentojnë ta nisin vitin 2020 me një trofe. Për ta pasur këtë mundësi, Real Madridi e mposhti Valencian të mërkurën, ndërsa Atletico fitoi 3:2 kundër Barcelonës të enjten.

Kjo do të thotë se finalja e Superkupës së Spanjës këtë vit do të jetë derbi i Madridit. Finalja do të mbahet më 12 janar, të dielën, në orën 19:00. Ndeshja do të luhet në Jedah të Arabisë Saudite, në njëjtën stadium ku u luajtën edhe gjysmëfinalet.

Kjo është hera e dytë që kjo ndeshje është zhvilluar jashtë Spanjës, pasi edicioni i vitit të kaluar u zhvillua në Tangier të Marokut. Megjithatë, kjo është hera e parë që ajo do të luhet mes dy skuadrave që nuk fituan asnjë trofe vendor gjatë sezonit të kaluar.

Kjo pasi që Barcelona merrte pjesë si fituesja e La Ligës, por e eliminua nga Atletico Madridi, ndërsa Valencia ishte pjesëmarrëse si fituese e Kupës së Mbretit, por u eliminua nga Real Madridi në gjysmëfinale.

Finalja do të shkojë në kohë shtesë dhe pastaj në penallti, nëse rezultati mbetet baras brenda kohës së rregullt./ge 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme