Policia e Kosovës është sulmuar të shtunën në fshatin Jashanicë të Leposaviqit teksa po tentonte ndalimin e një kamioni me mallra të kontrabanduara, me pije alkoolike dhe joalkoolike. Shoferi që po drejtonte kamionion, A.D., 32-vjeçar, pas ndjekjes nga policia është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Si pasojë e sulmit janë lënduar pesë zyrtarë policorë dhe një automjet i policisë është dëmtuar. Policia ka konfirmuar edhe përdorimin e armës zyrtare, lidhur me rastin ka folur kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj.
Inspektorati Policor i Kosovës së bashku me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës ka konstatuar se përdorimi i forcës dhe armëve në këtë rast ka qenë i domosdoshëm, deklaroi Kushtrim Hodaj.
“IPK ka dalë ne vend te ngjarjes pas njoftimit për këtë rast, është vlerësim i pëbashkët me Prokurorinë që nuk ka elemente për të filluar hetim ndaj zyrtarëve policor. Përdorimi i forcës dhe armëve në këtë rast ka qenë i domosdoshëm. Megjithatë IPK ne bashkëpunim me Prokurorine do të marrin veprime të nevojshme për të ndriquar plotësisht rrethanat e rastit”, tha Hodaj për Express.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë“, “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, si dhe “Kontrabandimi i mallrave”.
Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, “ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari A.D., me datë 16 korrik 2022 në fshatin Llazhin të komunës së Leposaviqit, me vullnet dhe vetëdije ka ndërmarrë veprime me të cilat ka rrezikuar jetën e katër zyrtarëve policorë të njësisë NJKNSH të Drejtorisë së Policisë Kufitare”, ka njoftuar të dielën prokuroria.
“Përderisa policët gjatë një pikë kontrolli kanë tentuar ta ndalojnë kamionin të cilin e ngiste i dyshuari A.D., i njëjti nuk i është përfillur urdhrave për të ndaluar kamionin, i cili gjatë ikjes me qëllim dy herë e godet veturën e policisë, ku edhe zyrtarët policorë si pasojë e goditjeve marrin lëndime trupore. Policët pasi arrijnë ta ndalin kamionin në fjalë i dyshuari A.D., ikë këmbë drejt malit, mirëpo policët pas një ndjekje arrijnë ta arrestojnë të njëjtin”, ka njoftuar më tej prokuroria.
Ndërsa, për kritikat për lirimin e të dyshuarit të dytë, prokuroria ka thënë se është në hetim e sipër.
“I dyshuari i dytë në këtë rast U.R., dyshohet se e ka lehtësuar rrugëtimin dhe ka luajtur rolin e personit i cili e ka njoftuar të dyshuarin A.D., për çdo pengesë të mundshme në rrugë, me çka ka rrezikuar dhe penguar zyrtarët policorë, e që është në hetim e sipër”.
Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarin A.D., pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.