Rexhep Selimi, dikur anëtar i AAK-së, e aktualisht pjesë e Vetëvendosjes, kishte braktisur partinë e Haradinajt për t’iu bashkuar më vonë asaj të Albin Kurtit, për shkak të koalicionit që u lidh në vitin 2004 në mes të Ibrahim Rugovës dhe liderit të AAK-së.
Selimi atëkohë, e kishte konsideruar të pamoralshëm rreshtimin e tij krahë Ibrahim Rugovës duke thënë se politika e ish presidentit e pengonte formimin e shtetit por edhe qenien e qytetarëve.
“Më lejoni ta theksoj përsëri se për mua do të ishte i pamoralshëm rreshtimi në krah të Ibrahim Rugovës. Më ka rënë rasti ta përsëris shumë herë, por për mua do të ishte shumë e pamoralshme nëse do të rreshtohesha krah një politike e cila jo vetëm që pengon formimin e shtetit, por tashmë po e rrezikon edhe qenien time dhe të qytetarëve të Kosovës”, pati thënë Selimi në një intervistë të dhënë për “Epokën e re” në 14 qershor të vitit 2005 disa muaj pas largimit nga AAK-ja.
Ndërkaq, pas rezultateve të 11 qershorit ku partia të cilës i takon Selimi, Vetëvendosje, u rendit e dyta, këta të fundit edhe para zgjedhjeve por edhe tash e lënë të hapur mundësinë që të bëhen bashkë.
Por Selimi, si pjesë e Vetëvendosjes ka pranuar të bashkëpunojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 2014, kur LDK, AAK, Vetëvendosje dhe NISMA kishin krijuar një bllok politik duke e ia pamundësuar për disa muaj PDK’së formimin e Qeverisë.