Dihet mirë që Zvicra mbeti neutrale përgjatë gjithë Luftës së Dytë – megjithatë, ai neutralitet nuk i pengoi bankierët zviceranë që të bënin biznes me nazistët. Floriri ishte malli më i cmuar i nazistëve.
Pa të, Hitleri nuk do të kish qenë kurrë në gjendje të ndërtonte makinerinë e luftës që i nevojitej për të blerë mallra strategjikisht jetike, si tungsteni dhe kromi, nga jashtë kufijve të Gjermanisë.
Dhe deri në vitin 1944, Rajhu i Tretë eksportonte flori drejt Zvicrës dhe e depozitonte në bankat zvicerane. Ata arritën të grumbullojnë një sasi të pabesueshme prej 645 tonë flori, i cili, i gjithi, ose ishte grabitur ose ishte shkrirë prej unazave të martesës, monedhave dhe dhëmbëve të hebrenjve të vrarë. Këto llogari në bankat zvicerane u mundësuan nazistëve që të bënin tregti me pjesën tjetër të botës.
Ata i përdornin llogaritë si kolateral në proces. “E gjithë tregtia e Gjermania kalonte përmes Zvicrës – qoftë nëse ishte municione, mjete apo armë”, thotë Gregg Rickman, i cili u caktua nga Senati i SHBA që të hetonte për llogaritë e fshehta bankare të nazistëve. “Mbështetja e zviceranëve mund ta ketë zgjatur luftën me një vit”.
Investigimi i Rickmanit rezultoi në një marrëveshje 1.25 miliardë dollarëshe në favor të të mbijetuarve të Holokaustit. Sipas disa vlerësimeve, rreth 5 miliardë dollarë nga llogaritë e ish nazistëve mbeten në bankat zvicerane. Pak kohë pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, Aleatët bënë një marrëveshje të fshehtë me zviceranët: bankat mund të mbanin pjesën e luanit nga paratë e nazistëve, nëse vazhdonin të mbështesnin rindërtimin e Gjermanisë dhe ndihmonin për forcimin e saj, si një dallgëpritëse ndaj sovjetikëve.
Kështu që, e ashtuquajtura mrekulli ekonomike e Gjermanisë ishte financuar, pjesërisht, nga “floriri i gjakut” që u ish marrë hebrenjve gjatë Holokaustit.