Çfarë u gjet në pronat e të arrestuarve për spiunazh me BIA-n serbe, Policia shpalos detaje

Prishtinë | 06 Qer 2024 | 09:40 | Nga Ekonomia Online

Detaje të tjera janë dhënë nga Policia e Kosovës për operacionin në rajonin e Ferizajt në të cilin u arrestuan dy persona për spiunazh. Bëhet fjalë për Muharrem Qerimin dhe Bedri Shabanin.

Siç njofton Policia, gjatë bastisjes në pronat e dy të dyshuarve, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gasmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

“Ferizaj – Viti 2023. Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë Speciale, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për veprën penale spiunazhi me datë 05.06.2024 kanë realizuar operacion një policor për kontrollin e dy lokacioneve në qytetin e Ferizajit. Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gasmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thotë Policia.

Ata dyshohen se kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.

Pas arrestimit të tyre, Prokuroria Speciale ka dal me informacione shtesë. Dy të arrestuarit janë shtetas të Kosovës, shqiptarë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘spiunazhi’, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të dy personave në Ferizaj nën dyshimin për spiunim për BIA-n serbe.

Dogana njofton se personi Bedri Shabani i dyshuar në këtë rast, është pushuar nga pozita e tij në këtë institucion 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.

Shkarkimi i tij sipas doganës kishte ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv

Të ngjashme