Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, është paraqitur sot në konferencë për media në prag të dy ndeshjeve tejet të rëndësishme kundër Maltës dhe Azerbajxhanit.
Challandes ka theksuar se lojtarëve nuk do t’i bëjë presion për fitore, por presion për lojë më të mirë se ajo kundër Ishujve Faroe, bën të ditur Federata e Futbollit të Kosovës, transmeton Koha.net.
“Para nesh janë dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe po dëgjoj prej njerëzve këtu por edhe prej shqiptarëve që jetojnë në Zvicër që gjithmonë kërkojnë fitore, mirëpo më duhet ta përsërisë edhe një herë se për mua nuk është gjëja më e rëndësishme fitorja dhe si trajner nuk mund të mendoj vetëm për fitoren, përkatësisht vetëm për rezultatin. Për mua gjëja më e rëndësishme është se si të luajmë më mirë, veçmas pas ndeshjes që e kemi pasur kundër Ishujve Faroe. Pra, tash për tash mendoj vetëm se si të luajmë më mirë. Kjo nënkupton se presioni ndaj ekipit nuk është që të arrijmë fitore, por është që të luajmë më mirë dhe ashtu siç kërkoj unë si ekip dhe të kemi mentalitet më të mirë. Dhe në këtë formë shpresoj të vjen edhe rezultati. E them shpresoj se ky është futboll dhe në këtë lojë nuk është e lehtë të parashikohen gjërat. Nuk jam i kënaqur me paraqitjen që kemi pasur në Ishujt Faroe, nuk ka qenë keq, por definitivisht nuk ka qenë mirë. Prandaj, mendoj se tani është koha që lojtarëve t’ua përcjellë disa gjëra të cilat nuk duhet t’i harrojnë. Ndonjëherë suksesi është i rrezikshëm. Është e qartë se ne duhet të kemi më shumë përkushtim, në disa raste duhet të luajmë pak më thjeshtë dhe duhet të luajmë si ekip sidomos në pjesën defanzive”, ka theksuar Challandes.
Ai tutje ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve do t’ua paraqes në video disa pamje nga situatat e ndeshjes së fundit ku lojtarët kanë mundur të reagojnë më mirë, me qëllim të përmirësimit. Sipas tij gjatë këtyre ditëve do të punohet për të bërë zgjedhjet më të mira në situatat në të cilat ekipi ka pasur vështirësi, sidomos në repartin e mbrojtjes.
Challandes ka thënë se që nga ndeshja me Ishujt Faroe i ka shikuar më shumë se 30 futbollistë, disa prej të cilëve ende nuk janë në rrethin e ngushtë për t’u përzgjedhur, por që janë kandidatë për të qenë pjesë e Kosovës në një të ardhme të afërt.
“Kam parë secilin prej tyre dhe e kam një ide të qartë për secilin prej tyre. Kështu që në fund vendimet i marrë pasi që i shoh paraqitjet e tyre dhe pasi bëj raport të veçantë për secilin prej tyre dhe më pas në bazë të atij raporti i marrë vendimet, edhe pse ato mund të jenë subjektive. Mund të ketë mospajtime, mund të ketë ide të ndryshme por për mua me rëndësi është që të ketë një balancë të futbollistëve që janë të grumbulluar për secilin pozicion”, ka shtuar Challandes.
Sa i përket konkurrencës së madhe për një vend në kombëtare, sidomos në pozitën e lojtarëve të krahut përzgjedhësi ka thënë se është e pamundur të ftohen të gjithë.
“Kur jemi të balanca në pozicione, pas ndeshjes me Ishujt Faroe kam biseduar me lojtarët e krahut që të gjithë janë shumë të mirë dhe u kam shpjeguar që është pothuajse e pamundur që të kemi 7 lojtarë për dy pozicione për një apo dy ndeshje, prandaj ata duhet ta kenë të qartë se kjo nuk nënkupton kjo në asnjë formë se nuk janë lojtarë të mirë, mirëpo duhet të kemi balancë në ekip dhe 7 lojtarë për dy pozicione për dy ndeshje janë shumë. Gjithmonë kërkoj të kem dy lojtarë për një pozicion nëse është e mundshme. Në disa raste kemi një lojtar që mund të mbulojë dy apo më shumë pozicione, por mënyra normale e të menduarit është që të kemi dy lojtarë për një pozicion”, ka nënvizuar Challandes.
I pyetur rreth kualifikimit në ‘play-off’ të Ligës së Kombeve, Challandes është shprehur se synon të arrijë pozitën e parë në grup që ia siguron një gjë të tillë, por sipas tij edhe nëse kjo nuk arrihet nuk do të jetë fundi i botës, pasi qëllimi kryesor është ndërtimi i ekipit për të ardhmen:
“Si trajner në situatën në të cilën ndodhemi aktualisht unë duhet që të kem objektiva afatshkurtra dhe për ne aktualisht është e rëndësishme që të arrijmë kalimin në play-off të Ligës së Kombeve. Por, po ashtu nuk do të jetë fundi i botës nëse Kosova nuk do të kualifikohet në ‘play-off’ të Ligës së Kombeve. Jam këtu për të vazhduar ndërtimin e një kombëtareje që është është në proces. Kosova është duke e ndërtuar një shtëpi, Albert Bunjaku e ka vu themelin e saj, kurse detyra ime është të ndërtoj katin e parë të kësaj shtëpie. Normalisht që do të ishte zhgënjyese nëse nuk do të kualifikoheshim në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, mirëpo ne duhet të mendojmë për të ardhmen dhe të vazhdojmë procesin e ndërtimit të ekipit dhe të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja”, ka vijuar Challandes.
I pyetur rreth largimit të Ardian Ismajlit, i cili pranoi ftesën e Shqipërisë dhe rreth asaj se kush duhet të bindet në mënyrë që një futbollist të vijë të luajë për Kosovën, trajneri zviceran u shpreh: “Në situata të tilla, nuk është vetëm lojtari që pyetet e duhet të bindet. Jemi në Kosovë, këtu e dini rëndësinë e familjes. Dhe nganjëherë, agjenti dhe familja janë e njëjta gjë. Sepse në shumicën e rasteve, janë familjarët që janë edhe agjentë të futbollistëve. Por, në rastin e Ardian Ismajlit nuk kam folur me familjen apo agjentin e tij. Ishte presidenti tashmë i ndjerë Fadil Vokrri që shkoi në Zagreb. Unë i thash se nëse ke nevojë do të vij, por ai tha se nuk ishte problem dhe se Ismajli kishte vendosur të luajë për Kosovën. Nganjëherë flasim me familjen, nganjëherë me agjentin, dhe ndonjëherë flasim direkt me lojtarët. Nuk është e lehtë, veçanërisht në Kosovë. Kemi lojtarë me tre pasaporta, dhe presioni është tek ne. Ata kërkojnë të luajnë, ndërkohë kanë mundësi të luajnë edhe për shtete të tjera, Shqipërinë, por edhe për Malin e Zi dhe Kroacinë. Në filozofinë time të punës është një parim që ne gjithmonë duhet të mendojmë me ne dhe jo unë dhe duhet të ndjehemi gjithmonë krenar që jemi pjesë e Kosovës. Nëse dikush nuk e ka këtë ndjenjë, atëherë… në rregullt nuk ka problem. Në fund të fundit duhet ta respektojmë vendimin e secilit futbollist”.
Challandes nuk ka dhënë detaje mbi formacionin që do të hedhë në fushë në ditën e lojës, pasi këtë ka thënë do ta bëjë vetëm pasi ta shohë formën e secilit.
“Nuk jap formacion sepse kemi pesë ditë para vetës për t’u përgatitur. Kemi më shumë kohë për të parë formën e secilit. Mbase të premten do të kemi një pasqyrë reale dhe do të vendosim jo vetëm për Arijanet Muricin, por në përgjithësi për të gjithë. Por, më duhet ta them se jam shumë i lumtur që tani e kemi një opsion më shumë, një portier mjaft cilësor si Arijaneti. Puna e trajnerit të ekipit kombëtar është përzgjedhja e më të mirëve, e jo duke u varur nga karakteristikat individuale të dikujt që mund të jetë më i gjatë, më i shkurtër, më i ri apo më i vjetër. Ne e bëjmë përzgjedhjen e më të mirëve”, ka shtuar Challandes.
Ndërkohë, në këtë grumbullim do të mungojë Bersant Celina për shkak të lëndimit.
“Celina ka problem pasi është lënduar në ndeshjen e së shtunës dhe sapo e kemi marrë raportin mjekësor të klubit të tij dhe është e qartë se ai nuk do të mund të luajë. Vojvoda po ashtu ka pasur një lëndim gjatë javës, por kam biseduar me trajnerin e tij të dielën dhe ai tashmë është duke e kaluar atë problem. Ai ka qenë mbrëmë në bankën rezervë, por nuk ka luajtur. Sa i përket lojtarëve tjerë nuk kanë lëndime. Kololli ka qenë paksa i lodhur pasi ka pasur një javë të ngjeshur dhe me ndeshje me Bayer Leverkusenin dhe kjo është arsyeja pse ai është zëvendësuar mbrëmë me Cyrihun. Herolindi Shala ka pasur një lëndim të vogël, por nuk është asgjë serioze dhe do të jetë me ne, derisa Zhegrova ka filluar të luajë me ekipin e tij dhe kjo na gëzon”, ka përfunduar Challandes.