Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes është shumë i kënaqur me formën që janë duke kaluar në skuadrat e tyre yjet kosovarë.
Milot Rashica është duke kaluar një formë të jashtëzakonshme te Werderi gjatë këtij viti, ka ka qenë njëri nga lojtarët më në formë në Bundesligë, raporton KTV. Derisa formë të lartë kanë treguar edhe Arbër Zeneli, Bersant Celina, e Vedat Muriqi në klubet e tyre.
Në konferencën e sotme për media në prag të ndeshjeve ndaj Danimarkës, miqësore, dhe asaj ndaj Bullgarisë në kuadër të kualifikimeve për evropian trajneri Challandes ka thënë se Kosova mund të jetë befasia nëse lojtarët vazhdojnë ta mbajnë formën e tyre të lartë.
Përveç se sa do të arrijë Kosova të mbrohet ndaj Danimarkës, Challandes thotë se, “qëllimi është të shohim lojtarët që janë në formë dhe a mund të krijojnë raste për gola kur dihet se kanë shënuar gola lojtarët tanë si Rachica, Zeneli, Muriqi e Celina. Kemi krijuar shumë raste por kemi realizuar pak dhe tash duhet ndaj Bullgarisë dhe Danimarkës t’i shfrytëzojmë rastet”.
Më tutje ai ka shtuar, “Rashica tash ka filluar të shënojë gola dhe ta shfaqë potencialin e tij, e po ashtu edhe Zeneli. Nëse vazhdojnë kështu Kosova ndoshta do të jetë befasia”.
Challandes ka konfirmuar se Valon Berisha nuk do të mund ta ndihmojë Kosovën në këto dy ndeshje, megjithatë e sheh Celinën zëvendësues të tij, i cili është duke kaluar në një formë të shkëlqyer me Swansean, ku së fundmi shënoi një eurogol ndaj ish-klubit të tij, Manchester Cityt.