Mbrëmjen e kësaj të enjteje, duke filluar nga ora 18:00, nga Forumi “Grimaldi” në Monako do të mësohet fati i 32 ekipeve të kualifikuara drejtpërdrejt apo përmes “play off”-eve, për në fazën e grupeve të Champions League.
Ajo që bie në sy përpara shortit është se, ndërsa 4 ekipet e kualifikuara nga Premier League janë të ndara në 3 vazo, konkretisht Man. City në të parën, Man. United dhe Tottenham në të dytën, ndërsa Liverpooli në të tretën; ekipet spanjolle janë grumbulluar të gjitha në vazon e parë, me përjashtim të Valencias (vazo e tretë).
Kjo për shkak se në vazon e parë përfshihen automatikisht kampioni në fuqi, që është Reali i Madridit, fituesi në fuqi i Europa League, me Atletico Madridin që triumfoi në finalen e majit të këtij viti, si dhe ekipet kampione të 6 ligave më të forta europiane, duke përfshirë këtu edhe Barcelonën që fitoi La Ligën.
Në vazon e parë, veç 3 spanjollëve janë edhe Manchester City, Bayern Munchen, Juventus, Paris SG dhe Lokomotiva e Moskës.
Finalisti i vjetshëm, Liverpool shpresonte në eliminimin e Benfikës nga PAOK-u i Selanikut për t’u ngjitur në vazon e dytë, por ekipi portugez doli fitimtar nga të dyja përballjet me grekët.
Përfshirja në vazot e tjera përcaktohet nga koefiçentët e klubeve, një renditje e hartuar mbi bazën e rezultateve të klubeve në Europë përgjatë 5 viteve të fundit, por edhe mbi bazën e performancës së Federatës së cilës i përkasin.
Tashmë pritet të marrin formë edhe 8 grupet me nga 4 skuadra të kësaj faze, në të cilat nuk mund të vihen përballë njëra-tjetrës ekipe të të njëjtit shtet.
Spektakli i Champions League do të nisë me ndeshjet e para të grupeve që do të luhen më 18 dhe 19 shtator, ndërsa kjo fazë do të përmbyllet me takimet që do të luhen më 11 dhe 12 dhjetor.
Faza me eliminim të drejtpërdrejt do të nisë nga muaji shkurt, ndërsa finalja e madhe do të luhet në “Wanda Metropolitano” të Atletico Madridit më 1 qershor 2019.
Vazo 1: Real Madrid, Atletico Madrid, Barcelona, Bayern Munich, Manchester City, Juventus, Paris St-Germain, Lokomotiv Moscow.
Vazo 2: Borussia Dortmund, Porto, Manchester United, Shakhtar Donetsk, Napoli, Tottenham Hotspur, Roma, Benfica.
Vazo 3: Liverpool, Schalke, Lyon, Monaco, Ajax, CSKA Moscow, PSV Eindhoven, Valencia.
Vazo 4: Red Star Belgrade, Viktoria Plzen, Club Brugge, Galatasaray, Inter Milan, Hoffenheim, Young Boys, AEK Athens.