Aktori, Chris Evans, ka paralajmëruar fillimin e xhirimeve për filmin “The Gray Man”, me regji të dyshes Joe dhe Anthony Russo, në janar të vitit të ardhshëm. Por kjo do të varet edhe prej situatës me pandeminë e koronavirusit.
Aktori i filmit “Avengers” do ta portretizojë në këtë projekt të “Netflix”-it, rolin e një djaloshi të keq. Ai megjithatë ka shtuar se nuk është ende i sigurt se si Hollywoodi do të vazhdojë projektet filmike me buxhet të madh, të cilat janë pezulluar si pasojë e pandemisë.
“Fatmirësisht janë disa produksione të cilat tani janë si kanarinat në mes të një fushe të minuar. Po e provojnë fatin. Kështu që, supozoj se do ta shohim se si do të shkojë puna edhe me këtë projekt. Nuk është se ka shumë mundësi zgjedhjeje. Askush nuk do të xhirojë nëse s’do të ketë siguri për secilin që është pjesë e ekipit”, ka thënë Evans. “Kështu që ka njerëz që do të bëhen të parët që do të zhyten në ujë dhe pastaj do ta shohim se si do të shkojnë gjërat dhe do ta shohin nëse mund t’i ndryshojmë dhe t’i bëjmë gjërat sa më të sigurta që të jetë e mundur. Dhe nëse jo, nuk do të shkojmë”, ka shtuar ai.
Paralajmërimin për angazhimin e ri filmik Evans e bëri të ditur teksa po e promovonte ueb faqen e tij “A Starting Point”.