Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për të mbijetuar në lindje të Indisë dhe Bangladesh një ditë pasi cikloni më i fuqishëm në mbi një dekadë ka shkatërruar fshatrat bregdetare, shtëpitë nga balta, ka shkulur shtyllat e energjisë elektrike dhe ka rrëzuar urat, shkruan agjencia Reuters.
Përmasa e dëmeve dhe numri i saktë i viktimave nga cikloni Amphan do të dihet vetëm pasi të kthehet komunikimi, kanë thënë zyrtarët, por dhjetëra persona kanë vdekur në Bengalin perëndimor dhe tetë në Bangladesh.
Më tepër vdekje janë shkaktuar nga goditjet nga pemët që janë shkulur nga erërat që arritën shpejtësinë deri 185 kilometra në orë dhe po ashtu nga rritja e nivelit të ujërave që kanë përmbytur vendet afër bregdetit.
“Kurrë në jetën time nuk kam parë një ciklon të tillë. Më duket sikur fundi i botës. E gjitha që mund të bëja ishte të lutesha…Allahu i Madhërishëm na shpëto”, ka thënë Azgar Ali 49-vjeçar, një banor nga qarku Satkhira në Bangladesh.
Mohammad Asaduzzaman, një zyrtar policor në qarkun bregdetar, e ka përshkruar rrënimin e shkaktuar nga cikloni Amphan.
“Shkatërrimi është i madh. Shumë fshatra janë përmbytur. Ka hequr çatitë, ka shkulur shtyllat energjike dhe drunjtë”, ka deklaruar Asaduzzaman.
I emërtuar si super ciklon, Amphani është dobësuar me të arritur në breg. Duke kaluar nëpër tokat më në brendësi të Bangladeshit, është ulur në një stuhi ciklonike të enjten.
Autoritetet në dy shtete kanë arritur të evakuojnë më tepër se tre milionë banorë, duke i dërguar nëpër strehimore para se të godiste Amphani. Por, evakuimi ishte koncentruar në komunitetet që gjendeshin direkt në rrugën e ciklonit, duke lënë fshatrat në krah të cenueshme.
Imazhet televizive kanë treguar anije të përmbytura, njerëz duke ecur nëpër rrugë të përmbytura nga uji dhe autobusë të rrëzuar. Aeroporti në Kalkutë, kryeqendrën e Bengalit Perëndimor, është nën ujë.
Pradip Kumar Dalui, një zyrtar në këtë vend, ka thënë se ujërat kanë përmbytur disa fshatra, që kanë qenë shtëpi të më tepër se 100 mijë njerëzve.
“Shumë shtëpi nga balta janë shkatërruar për shkak të erërave apo pemë të rrëzuar”, ka thënë Dalui.
Linjat elektrike dhe telefonike janë shkatërruar në shumë vende, por deri më tash nuk është raportuar për të vdekur në këtë zonë.
Cikloni erdhi në kohën kur dy shtetet janë duke luftuar për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Disa të evakuuar fillimisht ishin hezitues të largoheshin nga shtëpitë nga frika se do të mund të infektoheshin në strehimore.
Ciklonet në mënyrë të vazhdueshme godasin lindjen e Indisë dhe Bangladeshin nga prilli deri në dhjetor, shpesh duke detyruar të evakuohen dhjetëramijëra banorë dhe duke shkaktuar dëme të mëdha.
Derisa evakuimet sërish kanë shpëtuar shumë jetë, kryetarja e Bengalit Perëndimor, Mamata Banerjee ka vlerësuar se kostoja e riparimit do të jetë mjaft e lartë.
“Janë shkatërruar zonë pas zone. Ne nuk e dimë nëse dëmet do të arrijnë dhjetëramiliona rupees, do të analizojmë tri-katër ditë për të vlerësuar plotësisht dëmin”, ka thënë ajo.