Feriz Krasniqi nga fshati Smalluzhë i Komunës së Lipjanit ka 20 vjet që merret me bujqësi, raporton KTV.
Por, këtë vit, 80% të kulturave bujqësore ia ka dëmtuar nga shiu dhe breshëri, e më së shumti qepët dhe grurin.
Krasniqi thotë se nuk ka kujt t’i drejtohet për t’u rimëkëmbur, ndonëse bujqësia është i vetmi burim që ka për të mbajtur familjen. Ende nuk dihen shifrat e sakta të dëmeve nëpër komuna, por më e dëmtuara ka qenë ajo e Rahovecit me më shumë se 1 mijë hektar tokë bujqësore të dëmtuar.
Dëmet janë regjistruar në sektorët perime-kulturë, vreshtari dhe pemëtari.
Ndryshe, Qeveria në mbledhjen e fundit të saj, ka miratuar vendimin për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara këtë vit nga breshëri nëpër komunat e vendit, duke ndarë për këtë 6.7 milionë euro.