Cilat profile po kërkon tregu i punës në Kosovë?

Prishtinë | 09 Kor 2017 | 09:24 | Nga

Fakulteti i Edukimit, pasuar nga Fakulteti Ekonomik, Juridik dhe Fakulteti i Mjekësisë, vazhdojnë të jenë profilet më të preferuarat për të rinjtë në Kosovë.

Megjithatë, kjo përzgjedhje e këtyre profileve nga ekspertët të çështjeve të arsimit dhe përfaqësues të bizneseve po kërkohet të ndryshohet dhe përzgjedhja të bëhet në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

Sipas tyre, tregu i punës kërkon edhe këto profesione, por që janë të tjerat ato që kërkohen më shumë dhe më lehtë mund të vihet deri te gjetja e një vendi pune.

Eksperti i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, thotë për Radion Evropa e Lirë se të rinjtë do të duhej të orientohen në lëmi, për të cilat tregu i punës në Kosovë ka nevojë më shumë.

“Nxënësit, studentët që konkurrojnë në universitete kanë arritur në regjistrim pa një orientim profesional, pa një përgatitje të duhur për të konkurruar edhe me logjikën e tregut vendor, por edhe ndërkombëtar”.

“Këtu në Kosovë mungojnë politikat e zhvillimit të sistemit të arsimit dhe pranimit të studentëve, me këto politika nuk favorizohen ato vende pune, ato profile arsimore që i kërkon tregu, por bëhen në bazë të interesimit të nxënësve, të cilat kryesisht janë në shkencat humane ku edhe procesi i tyre është më i lehtë”, thekson Hyseni.

Universiteti i Prishtinës i ka 17 fakultete, nga të cilat 14 janë fakultete akademike, ndërsa 3 janë fakultete të shkencave të aplikuara.

Numri i studentëve në Universitetin e Prishtinës nga viti në vit ka shënuar rritje, aktualisht në këtë universitet studiojnë më shumë se 45 mijë studentë.

Ndërkohë, numri i studentëve që do të pranohen në shtatë universitetet publike në Kosovë për vitin akademik 2017/2018 është 15.255 studentë.

Berat Rukiqi, ekonomist në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo çka ofrohet brenda universiteteve publike dhe private, duhet të jetë e reformuar, pasi që programet aktuale nuk mundësojë që të rinjtë të pajisen me aftësitë që adresojnë nevojat e punës.

“Një proces i reformimit substancial i sistemit arsimor që mundëson një arsimim të orientuar nga nevojat e tregut të punës, duhet të ndodhë sa më shpejt, aq më mirë”.

“Ajo që po shohim tani është vazhdim i trendit të kaluar. Një numër i madh i atyre që përfundojnë shkollën e mesme domosdo shkojnë në fakultete publike dhe private, duke mos analizuar të ardhmen dhe duke mos pasur mundësinë që të kenë një vlerësim apo alternativë që në një të ardhme të afërt të sigurojnë edhe një vend pune”, thotë Rukiqi.

Ai shton se universitetet në Kosovë kanë programe që në masë të madhe janë të vjetra me dekada, derisa për një dekadë ekonomia si në vendet e tjera të botës, edhe në Kosovë ka shënuar ndryshime.

Në Kosovë, sipas përfaqësuesve të bizneseve, pritet që në të ardhmen e afërt të krijohen vende pune në sektorin e industrisë së përpunimit të ushqimit, minierave dhe minerareve, energjetikës dhe se orientimi i të rinjve do të duhej të bëhet në këto profile.

“Kemi një lëvizje drejt aftësive që janë më pak të lidhura më shkencat sociale drejt atyre që janë me vet zbatimin e pjesëve të ndryshme që lidhen me prodhim, aftësi inxhinerike, më shumë kërkojnë duar të vyeshme dhe njerëz që janë në gjendje të përcjellin teknologjitë e reja dhe zbatimin e teknologjive të reja”, shton Rukiqi.

Papunësia, ndërkaq, vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha që e ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës papunësia është 28.7 për qind.(REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme