Danimarka është duke prirë në Bashkimin Evropian në procesin e vaksinimit të popullsisë kundër Coronavirusit, duke iu falënderuar një fushate të shpejtë dhe pa pengesa.
Gazeta britanike, The Guardian, raporton se edhe më shumë njerëz në këtë shtet do të ishin vaksinuar, nëse qeveria do të kishte siguruar më shumë doza.
Deri më tani, 2.2 për qind e popullsisë prej 5.8 milionësh në Danimarkë e ka marrë vaksinën kundër koronavirusit që nga 27 dhjetori, kur filloi fushata e vaksinimit.
Ndryshe nga shtetet tjera, të cilat, për shkak të shqetësimeve rreth furnizimit, e kanë ndarë gjysmën e vaksinave për t’u siguruar që pacientët ta marrin edhe dozën e dytë, shteti skandinav ka vepruar ndryshe, duke i shfrytëzuar të gjitha vaksinat e kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech” për dozën e parë.
“Pozicioni i qartë i qeverisë është që në momentin që vaksinat e prekin tokën daneze, në atë moment ato duhet të përdoren”, tha kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen.
Me logjistikë të përgatitur mirë dhe me fushatë të shpejtë të vaksinimit në shtëpitë e kujdesit, ku pothuajse të gjithë që kanë dashur të vaksinohen tashmë e kanë marrë vaksinën, Danimarka ndodhet në krye të listës së BE-së për vaksinime, para Italisë dhe Sllovenisë.
Përqindja e popullsisë së vaksinuar në Danimarkë është gati tri herë më e lartë se mesatarja e BE-së. Deri të enjten, në Danimarkë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit e kanë marrë 129.170 persona.