Kryetarët e porsazgjedhur të komunave veriore të Kosovës, Goran Rakiq, Vuçina Jankoviq, Zoran Todiq dhe Serxhan Vulloviq, ka gjasë të dorëhiqen sërish pas Samitit të Parisit, i cili do të mbahet më 1 korrik 2019, mendojnë shumë serbë në veri të Mitrovicës, duke u referuar fjalëve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ua ka rekomanduar kryetarëve të komunave veriore që të mos nguten me dorëheqjet derisa të përfundojë ky takim, i organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, shkruan gazeta “Zëri”.
Stefan Samarxhiq, ekonomist, thotë se kryetarët e porsazgjedhur do të veprojnë ashtu siç u thotë Beogradi, respektivisht presidenti Vuçiq.
Megjithatë, kështu nuk mendon edhe zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Bashkim Cimili.
Ai nuk beson se ata do të dorëhiqen pasi sipas tij, frikësohen nga ndonjë masë e Prishtinës që i diskualifikon.
“Nuk ma merr mendja se ata do të dorëhiqen edhe një herë, sepse frikohen nga ndonjë masë tjetër e Prishtinës, e cila i diskualifikon ata. Ata veprojnë ashtu siç u thotë Vuçiqi, por nëse e hetojnë se mund të rrezikohen tërhiqen nga zotimet”, ka thënë ai, shkruan gazeta “Zëri”
Tutje Cimili tregon se si nuk u mbajt seanca solemne pas rizgjedhjes së Rakiqit kryetar.
“Kemi pasur thirrjet për seancën solemne, ne jemi mbledhur dhe pa filluar seanca ka ardhur kryesuesi Ivan Gureshiq dhe na ka thënë se seanca nuk do të mbahet. Nuk ka dhënë asnjë shpjegim, as nuk ka treguar se kur do të mbahet seanca. Me Rakiqin nuk kemi komunikuar, të paktën jo ne shqiptarët, ai vetëm na ka kontaktuar në telefon pas komunikimit të rezultateve të zgjedhjeve edhe na ka thënë se ka fituar me 96 për qind të votave. I kam thënë se kjo nuk tregon për asgjë, pasi në zgjedhje nuk kanë dalë as 20 për qind e votuesve joserbë”, shprehet ai./ZERI