Çitaku: Heqja e vizave për shtetasit me pasaporta të Serbisë, debakël politik për Qeverinë Kurti

Prishtinë | 22 Kor 2024 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka quajtur debakël politik dhe diplomatik për Qeverinë Kurti, heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë.

“Pra, pasaportat e lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë paskan marrë sot vulë legjitimiteti nga B.E. Çfarë debakli politik dhe diplomatik për Qeverinë Kurti. Ja ku e sollën Kosovën sjelljet infantile dhe aventureske të kësaj kaste udhëheqëse”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar të hënën rregulloren që u lejon edhe serbëve të Kosovës që bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd, t’u hiqen vizat sikurse të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit, vendimi pritet t’i prekë rreth 18 mijë banorë serbë të Kosovës që i posedojnë këto dokumente.

Rregullorja hyn në fuqi në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së.

Më 16 nëntor 2023, Komisioni publikoi një propozim për të hequr këtë përjashtim. Amendamenti i rregullores përkatëse u miratua nga Parlamenti i mëparshëm Evropian gjatë seancës plenare përfundimtare në prill të këtij viti.

Të ngjashme