Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka komentuar vlerësimet e Raportit të Progresit dorëzuar sot Qeverisë së Kosovës nga Komisioni Evropian.
Lidhur me çështjen e Asociacionit, Çitaku, në cilësinë e nënkryetares së PDK-së, u shpreh se nëse duhet zbatuar në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk do përbënte shqetësim.
“Ajo çfarë do të vlerësoj unë është mënyra se si Qeveria do t’i përgjigjet Raportit të Progresit. Një gjë më shqetësoi, kishte disa formulime shqetësuese lidhur me dialogun, aksionet në veri, etj”.
“Zbatimi i Asociacionit bazuar në rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë shqetësim. Nëse ka diçka tjetër, për të cilën ne nuk dimë, atëherë ne duhet ta pyesim Qeverinë.”
“Mirëpo pjesë e marrëveshjes për Asociacionin ka qenë edhe që ai dokument do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka dhënë rekomandimet dhe në bazë të atyre rekomandimeve ne duhet ta bëjmë Asociacionin, por jo të themelojmë nivel të tretë të pushtetit.”
Çitaku kritikoi edhe qasjen e qeverisë kosovare në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth gazpërçuesit.
Sipas saj, kryeministri Kurti po përdor diskurs përçmues ndaj Amerikës.
“Ka tema rreth të cilave duhet ta kritikojmë qeverinë. Çështja e gazpërçuesit, është gabim strategjik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përveç kësaj që do të na kushtojë, mua po aq sa më shqetëson gabimi, më shqetëson edhe diskursi”, tha ajo në KlanKosova.
“Dhe nuk është hera e parë që përdoret një diskurs përçmues në raport me ShBA-të. Më herët kemi dëgjuar ‘Shtëpia e Verdhë’, tash si kishte thënë kryeministri ‘Nuk bëhet aleanca me Amerikën me gypa’’, ai po e redukton në gypa çështjen e sigurisë energjetike të Kosovës, diversifikimit dhe kushdo që e njeh pak këtë fushë dhe unë nuk jam eksperte, e di fare qartë që gazpërçuesi që na është ofruar neve, është kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë e Amerikës karshi gazpërçuesit rus. Këto janë shumë të thjeshta.”
“Kjo është një nga ato vendimet strategjike, të cilat merren një herë, jo dhjetë herë. Fatkeqësisht ne si opozitë të gjithë së bashku i kemi numrat e kufizuar në Parlamentin e Kosovës. Ne përveç interpelancave, përveç debateve parlamentare, hapjes së debatit publik, ne kemi shumë mundësi të kufizuara që të bëjmë diçka më shumë, duke përdorur instrumentet demokratike. PDK ka pasur qëndrim të qartë që nga dita e parë për gazpërçuesin”.