Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka komentuar deklaratat e kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj, i cili kishte thënë që “Vlora Citaku nuk është ambasadore e Kosovës por e Hashim Thaçit”.
Çitaku ka shkruas se ajo ndihet krenare që falë angazhimit të përbashkët, gjatë mandatit të saj në SHBA, Kosova ka marrë mbështetjen për transformimin e FSK në ushtri, transmeton Ekonomia Online.
Postimi i plotë:
Mirëdita nga Washingtoni,
Sot në mëngjes u zgjova nën tingujt e qindra mesazheve që pandërprerë zhurmonin në telefonin tim.
Thënë të drejtën u shqetësova pak. Kur jeton jashtë vendit dhe larg familjes, mendja gjithmonë të shkon tek më e keqja.
Është tërësisht e pa-precedent që një Ambasadore në detyrë të kacafytet me Kryeministrin e vet. Sigurisht që unë nuk do të bëj asnjëhere diçka të tillë. Ne duhet të ndërtojmë kulturë të komunikimit institucional.
Sigurisht, unë nuk jam e përkryer. Nuk ka fjalë që edhe unë kam mangësi, edhe si njeri e edhe si diplomate. Por asnjëherë, kurrë në jetën time, nuk kam punuar dhe nuk punoj kundër interesave të vendit dhe kombit tim.
Tash e 20 vite jam e përfshirë ne jetën publike. Asnjëhere, kurrë nuk kam bërë asgjë për përfitim personal apo material. Sot pas 20 vitesh, unë kam pasuri një banesë 50 metra katrorë dhe 6000 euro kursime në bankë.
Nuk jam dhe nuk do të jem kurrë e shantazhuar. Mendimet e mia i them hapur dhe pa frikë nga askush.
Nuk është faji im që në Kosovë nuk ka konsensus politik për tema të rëndësishme. Por kurrë në jetën time nuk kam dhënë këshilla dashakëqija dhe kurrë në jetë nuk kam folur jashtë mandatit tim. Asnjëherë nuk kam dërguar informacione kontradiktore apo të selektuara.
Jam krenare që falë angazhimit tonë të përbashkët, gjatë mandatit tim këtu në SHBA, kemi marrë mbështetjen për transformimin e FSK në ushtri. Ka qenë një punë e gjatë mbi 2 vjeçare, dhe të gjitha janë të dokumentuara.
Poashtu më vije mirë që gjatë kësaj periudhe kemi avancuar raportin me MCC, dhe jemi ndër vendet e pakta të cilit jo vetëm që nuk i është ndërprerë, por i është rritur ndihma financiare nga SHBA-të.
Unë kam bërë dhe do të vazhdojë të bëj gjithçka në fuqinë time që ta ruaj dhe kultivoj raportin mes Kosovës dhe SHBA-ve.
Edhe këto ditë teksa po kalojmë momente jo të lehta në raportin tonë, kam punuar dhe do të vazhdoj të punoj për të shmangur çfarëdo dëmi strukturor në relacionet mes nesh.
Unë do të doja të jem aq e fuqishme sa po aludojnë disa, dhe të vendos e të diktoj politikat amerikane. Ju siguroj, që po të kisha atë fuqi, disa gjëra do të ishin ndryshe.
Sigurisht, diskrecioni që kërkon detyra ime, dhe edukata personale nuk më lejon t’i them të gjitha në këtë platformë.
Unë jam Ambasadore e Kosovës. Dhe Ramush Haradinaj është Kryeministri im.
Të jem Ambasadorja e juaj ne Washington DC është nderi i jetës sime.