Projekti “Cities of Peace” e drejtuar nga Dr. Ellen Frank është rikthyer në Prishtinë për të zhvilluar “The Honor City Gratitude”, pasues i projektit bazë.
Përgjatë muajve maj dhe qershor 2018 në Muzeun e Kosovës kishte lindur piktura e derdhur në ari “Prishtina: The Flowering”, përmes së cilës shpërfaqet historia dhe ana kulturore e kryeqytetit të Kosovës. Ky projekt sjell në jetë historinë dhe kulturën e qyteteve botërore që kanë vuajtur nga konfliktet dhe traumat, dhe po ashtu lartëson rëndësinë e qyteteve dhe synon të parandalojë shkatërrimin e arritjeve kulturore të njerëzimit.
E më 12 shtator ka nisur “The Honor City Gratitude”, që mbështetet nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe Departamenti i Shtetit, që pikturën e “Prishtina: The Flowering” e risjell në pjesë të punuara në ari por në format më të vogël.
“Cities of Peace” thur në filigran rrëfimin për Prishtinën
Ky projekt që po realizohet nga Dr. Ellen Frank tani si specialiste e Programit Fulbright ka mbledhur në Muzeun e Kosovës artistë, edukatorë, dhe studiues të cilët deri më 24 tetor do të përfundojnë projektin “The Honor City Gratitude”.
Pjesëmarrësit janë duke punuar së bashku për të krijuar “mozaikun” e “Prishtina: The Flowering” me fletë ari.
Në fazën e dytë të “Cities of Peace” Prishtina është qyteti i parë në të cilin po implementohet “Qyteti i Nderit” që përmban gjithsej 10 punime.
Pikturat e fazës së dytë do të ekspozohen në mbarë botën së bashku me pikturat e shteteve të tjera të “Cities of Peace”. Ato do të prezantohen edhe në Muzeun e Kosovës, Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Zyrën e Presidentit, Zyrën e MKRS-së, Zyrën e Ministrisë së Arsimit, dhe MPJ-së etj.
Studentët do të marrin nga një shpërblim si drejtorë artistikë gjatë krijimit të punimeve nga “Global Institute for Arts and Leadership”.