Çka e shkaktoi shpërthimin e Covid-it këtë javë në Kosovë

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Në javën e parë të muajit janar të këtij viti, numri i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë ka filluar një rritje të lehtë. Derisa gjatë ditëve të fundit, shifrat kanë shënuar rritje të dukshme. Tash e katër ditë, në të dhënat që publikon Ministria e Shëndetësisë për gjendjen me COVID-19, rastet pozitive janë mbi 500. Por, çka e ka shkaktuar këtë rritje enorme të rasteve?

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, ka deklaruar se arsye e rritjes së shpejtë të rasteve gjatë dy javëve të fundit janë festat e fundvitit dhe prania e variantit Omicron të koronavirusit.

“Arsyeja e rritjes së numrit të rasteve pozitive është prania e variantit Omicron në rajon dhe Europë. Omicroni ka aftësi të shpërndahet. Arsye tjetër janë edhe festat e fundvitit, pasi ka pasur lëvizje më të madhe”, ka deklaruar Vishaj.

Vishaj tha se arsye tjetër e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus është edhe përhapja e madhe e COVID-19 në rajon.

“Arsyeja tjetër është edhe vetë natyra e pandemisë. Kosova nuk mund të jetë pjesë e izoluar e rajonit dhe Europës. Çka ndodh në Europë është e mundshme të ndodh edhe në Kosovë”, ka deklaruar Vishaj.

Vishaj tha se duhet të respektohen rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për respektim të masave anti-COVID dhe vaksinim.

“Duhet t’i respektojmë rekomandimet duhet t’i pranojmë udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm duke i respektuar do ta kemi në kontroll situatën. I mbështesim edhe rekomandimet për marrjen e dozës përforcuese, pasi Omicroni po kalohet më lehtë me këtë dozë. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në situatë më të përballueshme”, ka deklaruar Vishaj.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të hënën se nga 7 mijë e 297 mostra të testuara për 24 orë, 728 kanë rezultuar pozitive me virusin COVID-19, duke çuar kështu në 5 mijë e 118 numrin e rasteve pozitive./Express

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme