“Çka ka, çka s’ka”, videoja e re e VV-së sulmon qeveritë e kaluara për infrastrukturën rrugore

Prishtinë | 24 Jan 2023 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një tjetër video përmes së cilës është marrë me infrastrukturën rrugore dhe projektet e ngelura nga qeveritë e kaluara.

Në përshkrimin në Facebook, Vetëvendosje ka thënë se në aksin Kiev-Zahaq, të rrugës Prishtinë-Pejë, ishte planifikuar “plaçkitje e madhe e buxhetit, por u parandalua nga Qeveria Kurti”. Shpronësimi i tokave, sipas partisë në pushtet, nuk do të kushtojë 240 milionë euro, por 90 milionë.

Vetëvendosje ka akuzuar qeveritë e kaluara për borxhe milionëshe të shpronësimeve, derisa “buxheti i gjetur që ka qenë i planifikuar për kthimin e këtij borxhi ka qenë vetëm 2 milionë euro”.

Punët e mbrapshta dhe planet për zhvatje, sipas VV-së bllokuan Kosovën për vite.

“Me punë të mbrapshta dhe plane të zhvatjes na kanë bllokuar rrugët kryesore për vite, por qeverisja e re tashmë i ka zhbllokuar ato dhe ka filluar punën për t’i përfunduar ato projekte…Këtë nuk e arritën sepse i ndalëm dhe e kthyem situatën në 0 për t’ia filluar së mbari. Pa keqpërdorime dhe devijime. Pa haraç e kurdisje tenderësh. Me kosto të arsyeshme dhe cilësi të lartë”, thuhet në përshkrim të videos.

Janë përmendur edhe rrugët në pjesën veriore.

“Qeveria Kurti ka shtruar rrugë në pjesën veriore të vendit duke lidhur fshatrat me qytetin e Mitrovicës. Do të vazhdojë me këto projekte rrugore që kanë rëndësi qendrore për infrastrukturën publike. Na kanë vonuar, por nuk na kanë ndalur”, ka thënë VV-ja.

Me videon paraprake, të publikuar më 10 janar, Vetëvendosje goditi opozitën dhe sindikatat.

Të ngjashme