Qytetarë në gjithë vendin iu janë drejtuar kutive të votimit për të përzgjedhur kryetarët e rinj në komunat e tyre dhe asamblistët e kuvendeve komunale.
Ekonomia Online bisedoi me disa qytetarë në Prishtinë se çka presin nga këto zgjedhje, nga kryetari i ardhshëm i Prishtinës dhe mori vlerësimin e tyre rreth mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Fahrije Uka është shprehur se nga ajo çka pa gjatë votimit, gjithçka ishte në rregull. Ajo tha se pret më mirë në qeverisjen e ardhshme të Prishtinës.
“Kemi votu, presim diçka ma mirë. Gjithçka ka qenë në rregull, sa e pashë ka shumë votues. Apeloj të gjithë të dalin në zgjedhje”.
Bujar Pallaska u shpreh se pret reformim të qeverisjes. “Pres të reformohen gjërat, të bëhet më mirë, të bëhet një ndryshim”.
“Sa i përket procesit të votimit nuk kam vërejtur ndonjë parregullsi. Tash kanë ndryshuar gjërat, njerëzit janë vedijesuar”, deklaroi ai.
Ilami Maçastena tha se ka hasur në një numër të vogël votuesish, ndërsa pret një qeverisje më të mirë.
“Po votova, procesi ka ecur mirë. Po shihet që po ecën mirë, por ka numër të vogël të votuesve”.
“Presim një qeverisje ma të mirë”, shtoi ai.
Po ashtu, Beqir Nukshiqi u shpreh se parregullsi nuk kishte, por sipas tij herën e kaluar ishte më mirë organizimi i mbarëvajtjes së zgjedhjeve.
“Votuam, procesi ka shkuar mirë. Presim diçka ma mirë, ndonjë ndryshim”.
“Nuk ka pasur ndonjë parregullsi, po vitin e kaluar u kanë ma rregull, për shembull korridoret, shenjat etj”, u shpreh ai.
Ismet Shushka tha se duhet të fitojë më i miri, dhe u shpreh se është i kënaqur me atë se çka është punuar në Prishtinë.
“Po votova, shumë bukur, ditë e bukur, pres të fitojë më i miri, jemi të kënaqur me atë çka është ba në Prishtinë, nuk vrejta ndonjë parregullsi, kontrollat ishin në nivel”.
Edhe Shpresa Shala theksoi se procesi i votimit shkoi mirë por ajo pret që rezultatet të dalin shpejtë dhe sipas saj të mos vonohen shumë.
“Votova, mirë ishte vetëm ishalla nuk i zgjasin rezultatet si herën e kaluar”.
“Çka të presim? Unë jam e papunë, çka të pres më shumë, vetëm premtime dhe premtime, e nuk realizohet asgjë”, u shpreh ky qytetar i Prishtinës, në prononcim për Ekonomia Online.