Çmagjepsja!

Prishtinë | 05 Tet 2023 | 20:30 | Nga Altin N. Ademi

Ka një kohë të gjatë që e vërej krejt zakonshëm një fenomen që shoqëria ka filluar ta manifestojë hapur: çmagjepsjen e çdo gjëje dhe gjithçkaje.

Për ta kuptuar se çka është çmagjepsja që po manifestohet, duhet folur për magjepsjen prej të cilës shoqëria ka nisur të arratiset.
Në rrafshin socio kulturor, magjepsja është një aspiratë kolektive, përmes së cilës besohet në disa vlera e pritje.

Njeriu i magjepsur është njëri që pret fundin e sfidave dhe arritjen e një gjendje të qëndrueshme e të njëtrajtshme, në të cilën rendi i gjërave funksionon mirëfilli. Përkundër se magjepsja është vetëm përshtypje, ajo megjithatë shërben si një nxitës kolektiv që i orienton shoqëritë drejt një qëllimi.

Një moment të tillë magjepsje, shoqëria jonë e ka përjetuar në vitin 1999 me çlirimin nga robëria fizike. Momenti i dytë i magjepsjes kolektive ka qenë shpallja e pavarësisë, pas së cilit akt, shoqëria e ka gjetur vetën në një teren të shtetit formal juridik e sovran, si një përmbushje e vullnetit historik.

Fatkeqësisht, ka kaluar një kohë e gjatë prej se shoqëria nuk ka më një vizion se kur mund ta presë një moment të tretë të këtij lloji. Dhe mungesa e një aspirate të tillë kolektive, e gërryen për së brendshmi idenë komunitare, duke e zhytur shoqërinë në një “modë” të përgjithshme dyshimi ndaj çdo kujt, çdo gjëje dhe çdo procesi shoqëror.

Përkundër faktit se magjepsja si koncept është domen që qëndron në mes të realitetit dhe imagjinatës kolektive, ajo është shumë e rëndësishme për vetëdijen politike shoqërore për një fakt të thjeshtë, sepse për nga karakteri përshkrues, ajo e kryen një funksion të rëndësishëm për fatin e njeriut: në të, njeriu gjen arsye dhe shpjegim për sfidat e tij, të cilave duhet t’iu japë shkak më të madh sesa vetja, në mënyrë që të arsyetohet për pafuqinë e tij individuale, duke u ngushëlluar me idenë se fati i tij individual është i përcaktuar nga rrethana që i prekin të gjithë të tjerët.

Por çfarë ndodhë kur magjepsja shpërbëhet? Apo më mirë të them, çfarë ndodhë kur çmagjepsja shtrihet gjithandej, si në rastin tonë aktualisht. Mungesa e magjepsjes kolektive në çështje të mëdha, reflekton drejtpërdrejtë në çmagjepsen kolektive në çështje të vogla.

Si rrjedhojë, zë vend një ngrehinë shoqërore e dyshimit totalitar. Njerëzit nisin të kryejnë funksionet formale, pa kurrfarë përgjegjësie për produktin e atyre funksioneve. Duke u shndërruar vetëdijshëm në një kastë formalistash, jeta merr drejtim protokolli e procedure, përmes së cilave gjithsecili përpiqet të vendosë një tik në katror pa e kuptuar përmbajtjen e asaj për çka angazhohet. Të tilla shndërrohen ambientet e punës, shoqërisë, aktivizimit e politikës.

Rrjedhimisht, gërryerja e brendshme e bën dyshimin mjet jetese. Askush s’ka besim tek diagnoza e mjekut, pa e testuar së paku edhe tek një mjek tjetër. Askush s’ka besim në të drejtësi, por në përpjekjen e vet për të arritur drejtësi. Askush s’ka besim në ligje, por në potencialin për t’iu shmangur atyre. Dhe kjo modë dyshimi arrin dikur një cikël qarkullues sa përfshinë çdo sferë publike, që nga shkolla e deri te shteti.

Procesi i çmagjepsjes socio-kulturore është dhe ka qenë proces i zakonshëm në faza të caktuara të zhvillimit shoqëror gjithkund nëpër botë. Megjithatë, ky proces është normal vetëm kur shërben si tranzicion drejt një ngjizje të re të magjepsjes kolektive, drejt besimit në diçka të re e të nevojshme që shërben si orientim.

Por çmagjepsja, di të jetë edhe e rrezikshme. Ajo është veçmas e rrezikshme në rastet kur shoqëria nuk ka më agjens të aftë për t’ua ndezur pasionin e rikthimit tek të vërtetat që na definojnë e të cilat duam t’i pasojmë me bindje të plotë.

Dështimi i “Pranverës Arabe” në disa vende është një rast i tillë. Mësymja për t’u larguar nga Kosova është në proces e sipër për t’u bërë një rast i tillë.

Të ngjashme