Shkencëtarët Jacques Dubochet, Joachim Frank dhe Richard Henderson, e kanë fituar Çmimin Nobel për kimi, për zhvillimin e mikroskopisë së krio-elektronit, ka shpallur sot Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.
E ashtuquajtura “metodë e ftohtë” e zbuluar nga këta tre shkencëtarë, e thjeshtëson dhe e përmirëson pamjen e biomolekulave, thuhet në arsyetimin e Akademisë.
“Kjo metodë e ka lëvizur biokiminë në një epokë të re”, thuhet në arsyetimin me rastin e shpalljes së fituesve të çmimit, që sjell edhe shumën e të hollave në vlerë prej 1.1 milion dollarë amerikanë.
“Kërkuesit tash mund t’i ngrijnë biomolekulat gjysmëlëvizëse dhe t’i vizuelizojnë proceset, që kurrë nuk janë parë më herët, dhe kjo është vendimtare për kuptimin bazik të kimisë së jetës dhe për zhvillimin e mjeteve farmaceutike”, tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm.
Shkencëtari Dubochet është zviceran, Frank është shtetas amerikan i lindur në Gjermani, ndërsa Henderson është britanik.
Çmimi për kimi u shpall sot, pasi më parë u shpallën fituesit e këtij çmimi prestigjioz për mjekësi dhe fizikë.
Këto çmime e bartin emrin e zbuluesit të dinamitit, Alfred Nobel, dhe prej vitit 1901, jepet për të arritura në shkencë, literaturë dhe për paqe.