CNN: Zyrtarët e Trumpit po e shqyrtojnë lehtësimin e mëtejmë të sanksioneve ndaj naftës ruse

Prishtinë | 10 Mar 2026 | 23:05 | Nga Ekonomia Online

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka diskutuar lehtësimin e mëtejmë të sanksioneve ndaj naftës ruse si pjesë e një përpjekjeje urgjente për ta luftuar rritjen e çmimeve të energjisë, e nxitur nga lufta me Iranin, i thanë televizionit CNN disa persona të afërt me çështjen.

Me këtë lëvizje të mundshme do të synohej mbështetja e furnizimit global me naftë dhe t’i kundërvihej ndaljes së dërgesave nëpër Ngushticën e Hormuzit, që ka shkaktuar ngritje të madhe të çmimeve gjatë javës së fundit, raporton televizioni amerikan.

Presidenti Trump të hënën aludoi në mundësinë e lehtësimit të sanksioneve ndaj naftës ruse, duke thënë në një konferencë për gazetarë se “ne kemi sanksione ndaj disa shteteve” dhe se “ne do t’i heqim këto sanksion derisa kjo [situatë] të rregullohet”.

Departamenti i Thesarit i ShBA-së javën e kaluar i dha Indisë leje të përkohshme për të blerë naftë ruse që tashmë ndodhet në det pa u penalizuar nga Uashingtoni. Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha të martën se vendimi nuk do t’i ofrojë Kremlinit “përfitim domethënës”, pasi nafta tashmë ishte duke qëndruar e papërdorur në një anije transportuese në det.

Zyrtarët e Trumpit tashmë kanë diskutuar për një lehtësim shtesë të sanksioneve, edhe pse personat e afërt me çështjen paralajmëruan se ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar për madhësinë ose fushën e një veprimi të tillë.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Shtetet e Bashkuara fillimisht i kishin vendosur këto sanksione si përpjekje për ta ndëshkuar Rusinë për luftën e saj në Ukrainë. Gjatë një takimi të ministrave të Financave të vendeve të G7-ës të hënën, zyrtarët evropianë i bënë thirrje Uashingtonit që të mos bëjë ndonjë lëvizje që do t’i mundësonte Rusisë të siguronte fitime domethënëse.

“Është me rëndësi që ne tani të mos e lehtësojmë presionin ndaj Rusisë dhe të mos e ndihmojmë Rusinë që të mos mbushë gjoksin e saj të luftës duke e shfrytëzuar këtë situatë të çmimeve të ngritura të naftës dhe gazit tash për tash” – tha pas takimit në një konferencë për gazetarë Vladis Dombrovskis, komisioner për ekonomi i Bashkimit Evropian./Nacionale

Të ngjashme