Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, më datë 1 Gusht ka hapur punëtorinë dy ditore të organizuar nga KGjK, për funksionalizimin e Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit.
Në këtë punëtori, po merr pjesë Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, anëtarë të Këshillit Gjyqësor, gjyqtarë nga Departamenti Special, personel mbështetës, si dhe përfaqësues nga Zyra e BE-së, USAID dhe EULEX.
Pjesëmarrësit në këtë punëtori, po diskutojnë çështje të nevojshme lidhur me Departamentin Special e që kanë të bëjnë me trajtimin e rasteve, përfshirjen e gjyqtarëve, caktimin e lëndëve, planet e Këshillit Gjyqësor si dhe ndryshimet e nevojshme në ligjet bazike në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për gjykatat, Rregulloren e Departamentit Special si dhe akte të tjera.
Kryesuesi Çoçaj e vlerësoi të nevojshme këtë punëtori dhe falenderoi pjesëmarrësit për angazhimin e tyre në debatet dhe opinionet që i kanë shprehur, sepse sipas tij, është e natyrshme që me themelimin e këtij Departamenti, të paraqiten sfida dhe vështirësi të ndryshme.
“Konsideroj se organizimi i një punëtorie me karakter të tillë me gjithë akterët relevant është i domosdoshëm dhe dëshmon nevojën për diskutim, në mënyrë që fillimi i punës për Gjyqtarët dhe stafin mbështetës në Departament Special të jetë sa më i lehtë dhe më pragmatik.” tha mes tjerash Çoçaj.