Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, priti në takim përfaqësues nga projekti “Sistemi Kombëtar Qendror i Evidencës Penale” – NCCR në Kosovë. Në këtë takim u diskutua rreth procesit të digjitalizimit të të dhënave të vjetra penale, në kuadër të NCCR, të arriturat dhe sfidat me të cilat po përballen zyrtarët e angazhuar.
Kryesuesi Çoçaj, theksoi rëndësinë e këtij projekti jo vetëm për gjyqësorin, por edhe për shtetin tonë duke pasur parasysh se jemi duke kaluar procese drejt integrimit evropian. Lidhur me sistemin në fjalë, Çoçaj dha disa rekomandime të cilat priten të realizohen nga NCCR në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor dhe gjykatat. Gjithashtu, ai siguroi të pranishmit se Këshilli Gjyqësor, përmes grupit punues, do të përkushtohet edhe më shumë për të ofruar mbështetje për zbatimin e suksesshëm të projektit në këtë fazë, dhe për të realizuar planet lidhur me hapat e ardhshëm.
Nga ana tjetër, Udhëheqësja e Projektit NCCR, Yolanta Christova, çmoi angazhimin e stafit në Këshillin Gjyqëor dhe gjykata, si dhe njoftoi të pranishmit se deri më sot në nivel të vendit, regjistrimi në sistemin elektronik në total është realizuar 90%.
Christova kërkoi që puna e projektit nga kjo fazë, të vazhdohet nga stafi i gjyqësorit, duke filluar me trajnimin e tyre dhe realizimin e kushteve të nevojshme për ta lehtësuar këtë tranzicion në mënyrë që projekti të bëhet i qëndrueshëm.