Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet, Çohu!, ka publikuar dy hulumtime që kanë të bëjnë me kushtet e punës të punëtorëve të sektorit privat, raporton Ekonomia Online.
Hulumtimet e fokusuar në dy tema, kontratat e punës dhe obligimet që dalin nga këto kontrata siç janë pushimet, rezultojnë me të dhëna se 45 për qind e të rinjve janë gati të largohen nga vendi.
Në këtë prezantim u theksua se kontrata e punës nuk respektohet më së shumti të pushimet. Shumica e respodentëve mendojnë se në Kosovë nuk u respektohen pushimet punëtorëve që punojnë në sektorin privat. 33.66 për qind prej tyre kanë thënë se pushimet nuk u respektohen aspak punëtorëve, pak kanë thënë 29.21 për qind, 20.30 për qind kanë thënë mesatarisht, ndërsa shumë vetëm 16.83 për qind.
Problematike në zbatim, sipas hulumtimit mbesin pushimet vjetore dhe të lehonisë.
Johan Schmidt, Udhëheqësi i Ekipit për Evropë i Olaf Palme International Centre tha se do të duhej që dialogun social ta kuptojmë në një formë më gjithëpërfshirëse ku mbrojtja e të drejtave të punëtorëve nuk shkon vetëm në interes të tyre, por është thelbësore edhe për funksionimin dhe zhvillimin e vetë bizneseve.
Në tryezë u diskutua për domosdoshmërinë e plotësim-ndryshimit të Ligjit të Punës, rritjen e numrit të inspektimeve dhe përfshirjen e akterëve relevant në dialogun social.
Altin Ademi nga organizata ÇOHU tha se ka një trend mjaft të lartë të ikjes ose largimit të të rinjve që zgjedhin rrugën e migrimit për shkak se nuk mund të akomodohen as të kenë një vend të punës së qëndrueshëm.
“Si qytetërim ose civilizim të cilin ne bëjmë pjesë mirëmbahet prej tri kategorive të të drejtave, e para është civile ose për me qenë, e dyta është politike apo të bëhet dhe e treta është shoqërore apo ajo lloj sigurie që ta jep mundësin që të avancosh statusin. Kjo tryezë edhe hulumtimet lidhen me këtë kategorinë e tretë, me të drejtat shoqërore. Këto kategori e ushqejnë dhe e mirëmbajnë njëra tjetrën. Një fenomen që e kemi parë ne kohëve të fundit e që është shumë shqetësuese është migrimi, llogaritet që nga klasa e parë deri në Universitet. Republika e jonë i shpenzon mesatarisht 9 mijë e 700 euro për një nxënës. Ajo çka kemi parë kohëve të fundit ka një trend mjaft të lartë të ikjes ose largimit të të rinjve që zgjedhin rrugën e migrimit për shkak se nuk mund të akomodohen as të kenë një vend të punës së qëndrueshëm, as të kenë një vend të punës ku këto të drejta shoqërore i reflekojnë edhe i mirëmbajnë”, tha ai.
Ademi tha se po investohet në kapital njerëzor, të cilët më pas si vlerë e shpqërisë po ikin.
“Ky është një element që të tregoj që duhet të ketë reflektim të thellë se si këto të drejta shoqërore, konkretisht të drejta që lidhen me të drejtat e punës. Mosha 20 deri 40 që përben kontingjentin kryesor edhe të lindshmërisë edhe të punës edhe të profesioneve diku rreth 45 për qind e tyre, gjithmonë kanë gatishmëri ose janë në kërkim të bëjnë një zgjidhje diku tjetër jashtë Kosovës. Ajo që kemi parë që një nga faktorët që ka kontribuar kësaj gjendje është një lloj kapitullimi sindikal”, tha Ademi.
Vesel Zhinipotoku, nga Inspektorati i Punës tha se ky inspektorat në vazhdimësi ka zhvilluar përpjekje të jashtëzakonshme gjithmonë me kapacitet që i ka poseduar në mbrojtjen e të drejtave elementare siç është edhe e drejta e punës respektivisht kushteve të punës së një të punësuari.
“Ndër këto vite kemi kaluar nëpër sfida të mëdha duke u ballafaquar ne mundësi dhe kapacitete të cila i kemi poseduar. IP ka rritur kapacitete e tij, jemi munduar dhe duke bërë përpjekje që inspektimet tona të mbërrij deri në nivelin më të ulët. Me këtë synim, IP viteve të fundit ka rritur edhe kapacitet e tij me resurset njerëzore, ku vitet paraprake kemi ngelur deri me 33 inspektor në tërë Kosovën. Tani numri i tyre ka arritur në 63 si dhe tash jemi në proces të rekrutimit të 60 inspektorëve që parashihen që brenda një muaji mund t’i kemi staf aktiv i cili do të kontribuoj në rritje edhe të mëtutjeshme të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjshmërisë. Numri i Inspektimeve është në rritje, në vitin 2023 ka arritur mbi 8000 mijë. Aktualisht jemi në muajin dhjetor numri i inspektimeve ka kaluar 11 mijë”, tha Zhinipotoku.