Trajneri i Interit, Antonio Conte, pretendon se Borussia Dortmundi iu frikësua skuadrës së tij për përballjen mes dy klubeve të mërkurën në Ligën e Kampionëve, të cilën zikaltrit e fituan me rezultat 2:0.
Lautaro Martinez dhe Antonio Candreva shënuan të dy për Interin në “San Siro”, ku skuadra italiane e regjistroi fitoren e parë me trajnerin e ri në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Martinez – të cilit iu mbrojt një penallti në pjesën e dytë të ndeshjes – e shënoi golin e tij të pestë në katër ndeshjet e fundit të Interit, pasi që e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes 22 minuta para se Candreva t’ia siguronte tre pikët Interit për Grupin F.
Kjo ishte fitorja e parë e Interit kundër një klubi gjerman që nga marsi i vitit 2011 dhe Conte tha për Sky Sport Italia dhe Dortmundi pati aq shumë frikë nga skuadra e tij saqë e ndryshoi skemën e lojës.
“Borussia Dortmundi e ndryshoi skemën dhe luajti me pesë lojtarë në vijën e mbrojtjes. Kjo do të thotë se ata na frikësoheshin dhe dëshironin të luanin duke e ndryshuar qasjen për të na u përshtatur neve”, ka thënë Conte.
“Ne ishim përgatitur për një ndeshje shumë më ndryshe, por bëmë punë të mirë që u përshtatëm me lojën. Kur Dortmundi e ndryshoi skemën në 4-2-3-1 pas pjesës së parë, ne u përshtatëm sërish dhe e morëm kontrollin e ndeshjes”.
“Ne ishim përgatitur për t’iu bërë atyre presion në disa zona të fushës dhe ata e ndryshuan skemën, kështu që ato përgatitje s’ishin më të vlefshme. Gjëja më e rëndësishme që unë ua thash djemve është të mos e humbin posedimin e topit në pjesët qendrore të fushës, pasi që në atë pozitë ata i fillojnë kundërsulmet”.
Interi tani i ka katër pikë nga tri ndeshjet e para të Grupit F dhe është ngritur në pozitën e dytë – para Borussia Dortmundit vetëm për shkak të dallimit në gola dhe tre pikë prapa liderit, Barcelonës.