Ish-trajneri i Interit, Antonio Conte, ka thënë se Chelsea nuk di si ta përdorë Romelu Lukakun dhe se trajneri Thomas Tuchel nuk po e nxjerr më të mirën nga ai.
Lukaku iu ribashkua Chelseat nga Interi për një shumë rekorde për klubin, 115 milionë euro, gjatë verës dhe pati fillim të furishëm duke i shënuar katër gola në katër ndeshjet e para.
Megjithatë, Conte, i cili punoi me Lukakun gjatë kohës së tyre në Inter në dy sezonet e kaluara, mendon se sulmuesi belg ka më shumë për të ofruar dhe se Chelsea duhet ta përdorë atë në një mënyrë tjetër, pasi ai dështoi të shënonte kundër Juventusit në humbjen 1:0 të mërkurën në Ligën e Kampionëve.
Kjo ishte ndeshja e tretë radhazi që Lukaku dështon të shënojë gol.
“Mendoj se ai mund të bëjë më mirë, mbi të gjitha me tekniken e tij”, tha Conte për Sky Sport Italia.
“Ai e ka arritur tashmë një nivel shumë të lartë, por futbollisti duhet të vazhdojë të përmirësohet deri në ditën kur pensionohet”, shtoi ai.
“Kur e ke një sulmues si Lukaku, mendoj se duhet ta përdorësh dhe unë mendoj se Chelsea ende nuk e ka kuptuar si duhet ta përdorë atë”.
Conte e udhëhoqi Interin drejt fitimit të titullit të parë në Serie A pas plot 10 vjetëve sezonin e kaluar, me Lukakun që ndihmoi me 24 gola gjatë asaj kohe.