Autoritetet irakiane e konfirmuan të hënën rastin e parë të koronavirusit në këtë shtet. Personi i infektuar u diagnostiku në qytetin Najaf, rreth 180 kilometra në jug të kryeqytetit Bagdad.
Ridvan Kindi, kryetar i Departamentit të Shëndetësisë në këtë qytet, tha se personi i infektuar me koronavirus është një student iranian.
Ky zyrtar gjithashtu njoftoi se personi i infektuar është vendosur menjëherë në karantinë dhe janë marrë të gjisa masat e sigurisë, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.
Irani është bërë vendi më i goditur nga koronavirusi pas Kinës. Vetëm në qytetin Qom u raportua për 50 të vdekur nga koronavirusi, ndonëse qeveria qendrore e ka mohuar këtë shifër.
Të shqetësuara nga përhapja e shpejtë e virusit të ri në republikën islamike, vendet fqinje të Iranit morën menjëherë masa. Turqia e mbylli kufirin me këtë shtet në përpjekje për ta luftuar përhapjen e mëtejme.
Përpos Iranit, numra treshifrorë të personave të infektuar janë shënuar edhe në Korenë Jugore dhe Itali. Austria po e shqyrton vendosjen e kontrollit kufitar me vendin fqinj pas vdekjes së pesë personave në rajonet veriore italiane.