Rëniet ekonomike nga Coronavirusi mund të rrisin varfërinë globale për një gjysmë miliardë.
Ky paralajmërim i errët vjen nga një studim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi koston financiare dhe njerëzore të pandemisë.
Sipas këtij raporti kjo do të jetë hera e parë që varfëria rritet globalisht në 30 vjet.
Gjetjet vijnë përpara takimeve kryesore të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ministrave të financave të G20-ës, që pritet të mbahen javën e ardhshme.
Studimi i Universitetit të Kombeve të Bashkuara u punua nga ekspertë të King’s College London dhe Universiteti Kombëtar Australian.
“Kriza ekonomike potencialisht do të jetë edhe më e rëndë sesa kriza shëndetësore”, tha Christopher Hoy nga ANU.
Raporti, i cili vlerëson një rritje prej 400-600 milionë të numrit të njerëzve në varfëri në të gjithë globin, thotë se ndikimi i mundshëm i virusit paraqet një sfidë të vërtetë për qëllimin e OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm për t’i dhënë fund varfërisë deri në vitin 2030.
“Gjetjet tona tregojnë për rëndësinë e një zgjerimi dramatik të rrjeteve të sigurisë sociale në vendet në zhvillim sa më shpejt të jetë e mundur – më gjerësisht – dhe për nevojën për vëmendje shumë më e madhe ndaj ndikimit të Covid-19 në vendet në zhvillim dhe asaj që bashkësia ndërkombëtare mund të bëjë për të ndihmuar”, tha Profesori Andy Sumner nga King’s College London.
Deri në kohën kur të përfundojë pandemia mbi gjysma e popullsisë së botës nga 7.8 miliardë njerëz mund të jetojnë në varfëri.
Rreth 40% e të varfërve të rinj mund të përqendrohen në Azinë Lindore dhe Paqësorin, me rreth një të tretën në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë e Jugut.
Në fillim të kësaj jave, më shumë se 100 organizata globale kërkuan që të hiqet dorë nga pagesa borxheve këtë vit për vendet në zhvillim, të cilat do të çlironin 25 miliardë dollarë në para për të mbështetur ekonomitë e tyre.