Në Suharekë, për momentin situata vazhdon të jetë nën menaxhim, përkundër që janë identifikuar katër raste me pandeminë Coronavirus, ku njëri nga ta është shëruar.
Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se njëri është në Suharekë, i dyti në Bajë të Malishevës, kurse i treti është në Qendrën e Studentëve, të improvizuar si karantinë.
“Në komunën e Suharekës, gjendja momentale është e mirë, pa panik dhe është stabile, jemi duke punuar në shërbim të qytetarëve. Momentalisht, Suhareka i ka katër raste, ku një është shëruar, një ndodhët në Bajë të Malishevës dhe një në Prishtinë, në Qendrën e Studentëve dhe një në Suharekë”.
“Momentalisht jemi duke punuar me vendime që janë duke u marrë, qytetarët janë duke i respektuar rregullat që kanë dalë nga udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe nga Qeveria, po vazhdojmë me punë dhe të shohim më pastaj”, tha ai.
Teksa ka folur për ndihmat që po i ofron qeveria për nivelin komunal, i pari i Suharekës, thotë se nuk e kanë ndërmend të presin vetëm nga ta, por që thotë se janë duke punuar me buxhet të Komunës.
Për punën që po e bënë Qeveria, Muharremaj e lavdëron, ku thotë se aq sa ka mundësi, qeveria po kryen punë. Por, thotë se nuk e kanë ndërmend të presin vetëm nga niveli qendrorë.
“Me thënë të drejtën edhe ata sa kanë mundësi janë duke na dërguar por edhe ne jemi duke punuar më shumë me buxhet të Komunës, nuk e kemi në plan të presim vetëm nga Qeveria, dhe aq sa ka po na dërgon, kështu që gjendjen në komunën tonë e kemi stabile”, ka thënë ai.
Muharremaj tregon edhe për çfarë ka nevojë kjo komunë, ku thotë se masat mbrojtëse për QKMF-të, janë të nevojshme për ekipin mjekësorë, raporton EO.
“Për momentin kemi nevojë për masa mbrojtëse tek QKMF-të, pasi që ekipet e mjekëve janë në terren, janë në vijën e parë të frontit, për rroba mbrojtëse, maska etj etj. Si do që të jetë, ne ato çka nuk ka prej ministrisë, ne do t’i kompensojmë me buxhet të komunës, kështu që t’i dalim në ndihmë qytetarëve të komunës sonë”, ka thënë Muharremaj.