21 pacientë po trajtohen në mjekimin intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gjendja vazhdon të jetë e rënduar derisa vetëm në 24 orët e fundi janë konfirmuar 765 raste pozitive në vend.
Kryeshefi i mjekimit intensiv doktor Rexhep Gjyliqi ka dhënë detaje.
“Në mjekimin intensiv të cilin e kemi dedikuar për të sëmurët me Covid-19 janë të shtrirë pacientët të cilët janë në gjendje më kritike se të tjerët. Aktualisht janë të shtrirë 21 pacientë, prej tyre, shtatë janë në ventilim mekanik”, tha ai për RTK-në.
Gjyliqi tha se kanë marrë të gjitha masat për tu ardhur në ndihmë pacientëve.
“Gjendja është e rënduar mirëpo në mjekimin intensiv e kemi përgatit një njësi tjetër e cila është ngjitur me mjekësinë intensiv”, tha ai.
Gjyliqi theksoi se aktualisht nuk kanë probleme me mungesë të stafit, pavarësisht se shumë prej personelit janë duke u trajtuar nga sëmundja.
“Sikur çdokund në Europë edhe te ne është vërejtur mungesë e anesteziologëve në përgjithësi. Ne aktualisht kemi 10 anesteziologë të cilët janë të infektuar dhe të cilët po qëndrojnë në shtëpi. Fatmirësisht nuk janë të sëmurë rënd. Gjithashtu janë edhe 20 infermierë të klinikës tonë të cilët janë duke u trajtuar nga kjo sëmundje”, tha Gjyliqi.
Që nga 13 marsi kur u raportuan rastet e para me koronavirus, numri total i rasteve pozitive është 28.616 nga 117.585 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.
Aktualisht numri i rasteve aktive me Covid-19 është 10.752.