COVID-19 i kushton turizmit botëror 320 mld $ në 5 muajt e parë të vitit 2020

Prishtinë | 04 Gus 2020 | 20:01 | Nga Ekonomia Online

Kriza e koronavirusit i ka kushtuar sektorit të turizmit global 320 miliardë dollarë fitime të munguara në pesë muajt e parë të 2020, duke kërcënuar jetesën e miliona njerëzve – shkruan Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO), në një deklaratë të martën.

Sasia e të ardhurave të humbura mes janarit dhe majit është “tre herë më e madhe se humbja gjatë krizës financiare botërore në vitin 2009” – sipas Organizatës Botërore të Turizmit, me seli në Madrid. Numri i turistëve ndërkombëtarë ka rënë me 300 milionë gjatë kësaj periudhe, ose 56%, për shkak të masave për të frenuar përhapjen e virusit, duke penalizuar sektorin e turizmit.

“Këto të dhëna bëjnë të qartë rëndësinë e rifillimit të turizmit, sapo të jetë i sigurt për ta bërë. Rënia dramatike e turizmit ndërkombëtar rrezikon mbylljen e miliona vendeve të punës” – deklaroi sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili.

Ndërkohë, të dhënat e World Travel & Tourism Council tregojnë se cilat vende mund të humbasin më shumë për shkak të krizës në turizëm.

Meksika është ndoshta vendi më i ekspozuar, me 15.5% të PBB që mbështetet në industrinë e udhëtimeve dhe turizmit. Edhe Spanja dhe Italia me përkatësisht 14,4% dhe 13.0% të PBB që mbështetet në industrinë e turizmit, rrezikohen së tepërmi.

Sikur të mos mjaftonte numri i madh i njerëzve që humbën jetën për shkak të COVID-19, Spanja dhe Italia janë edhe vendet që do të goditen më shumë në industrinë e turizmit si pasojë e pandemisë. Të dyja vendet mbështeten fort tek industria e turizmit dhe udhëtimeve, e cila ende sot mbetet shumë e kufizuar, pavarësisht rihapjes së ngadaltë.
Ndër të tjera, të dyja shtetet kanë pasur vështirësi ekonomike edhe para pandemisë, me nivele të larta borxhi publik dhe normat e papunësisë ndër më të lartat në gjithë vendet e OECD.

Në SHBA, pavarësisht 8.6% të PBB së vendit që mbështetet në industrinë e turizmit, rrezikohen të mbyllen 16,8 milionë vende pune.

Të ngjashme