Dobësimi i mutacioneve të covid-19 i bën ekspertët e shëndetit të mendojnë se koronavirusi po e humbet fuqinë dhe shumë shpejt mund të ketë sjelljen e gripit sezonal. Pavarësisht kësaj mjekët bëjnë thirrje për vaksinim dhe respektim të masave pasi pandemia ende nuk ka përfunduar.
Varianti “Omicron”, i covid-19, mund të jetë lajmëtar se pandemia është drejt fundit të saj.
Ndër mutacionet, gjatë dy viteve, ky rezulton të jetë më pak i rrezikshmi.
Mjekët thonë se simptomat që shkakton janë të lehta madje dhe koha e shërimit është më e shpejtë.
Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, covid-19 po e humbet fuqinë dhe në muajt e ardhshëm mund të ketë sjelljen e gripit sezonal.
Por pavarësisht se “Omicron” nuk konsiderohet i rrezikshëm mjekët bëjnë thirrje për kryerjen e vaksinës.
Të rinjtë janë ata që nuk po tregojnë shumë interes ndaj këtij procesi dhe sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik rezulton se janë vaksinuar me dy doza vetëm 25% e grupmoshës 18-24 vjeç.
Dominimi i variantit të ri, që përcillet shumë më shpejt nga një person te tjetri, ka sjellë një rritje shqetësuese të infektimeve.
Vetëm në dy javët e para janë prekur mbi 20 mijë persona ndërsa 48 të tjerë kanë humbur jetën.