Shoqata e Bankave të Kosovës përmes një komunikate për media ka dhënë njoftimin që në tregun e Kosovës është shtuar edhe një bankë e re, CREDINS Bank e cila së fundi është licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës dhe është anëtarësuar në Shoqatën e Bankave të Kosovës.
Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës së Bankave të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 25 nëntor 2020, ka aprovuar anëtarësimin me të drejta të plota për CREDINS Bank Kosova. Rrjedhimisht, Shoqata e Bankave të Kosovës tani përfaqëson 10 banka komerciale që operojnë në Kosovë.
Aksionari i vetëm i CREDINS Bank në Kosovë është CREDINS Bank në Shqipëri që operon që nga viti 2003 dhe është një nga bankat kryesore në Shqipëri. CREDINS Bank është banka e tretë më e madhe në Shqipëri duke mbajtur 14.4% të totalit të aktiveve të sistemit bankar të vendit, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Z. Petrit Balija theksoi se sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe se ky sektor ka dëshmuar stabilitet dhe qëndrueshmëri ndër vite duke financuar bizneset dhe ekonomitë familjare. Me këtë rast Z. Balija tha “Jemi të nderuar që CREDINS Bank ka zgjedhur që të zgjerojë veprimtarinë e saj edhe në Kosovë për të qenë në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit. E mirëpresim anëtarësimin e CREDINS Bank në Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe i dëshirojmë shumë sukses në tregun e Kosovës. CREDINS Bank do ta ketë mbështetjen tonë të pakursyer në rrugëtimin e saj të ri për rritjen e ofertës së shërbimeve financiare në sektorin bankar të Kosovës”.
Ndërsa Z. Selman Lamaj, Drejtor Menaxhues i CREDINS Bank Kosova, thekson se: “Vizioni i Bankës CREDINS në Kosovë është që të jetë pjesë e një rrjeti rajonal bankar që vepron në parimet komerciale të performancës dhe qëndrueshmërisë dhe të njihet si Banka me shërbim më të mirë në Kosovë. Misioni i Bankës CREDINS në Kosovë është të ofrojë shërbim cilësor ndaj klientit dhe të ndërtojë një biznes me njerëz të shkëlqyer, aktive dhe vlera që përmirësojnë standardin e jetesës. Banka CREDINS në Kosovë do të jetë një bankë e integruar, e fokusuar në inovacion. Qëllimi strategjik i Bankës është të jetë lider në efiçiencë dhe të krijojë marrëdhënie dhe eksperienca të shkëlqyera me klientët. Duke krijuar një strategji efektive të shitjeve, Banka do të ofrojë produkte dhe shërbime konkurruese dhe do të krijojë fushata atraktive marketingu”.
Për të përmbushur misionin e saj, Banka CREDINS në Kosovë ka vendosur disa objektiva strategjike si: ndërtimi i një kulture të shkëlqyer, motivuese e fituese, hartimi dhe zbatimi i procedurave fleksibël, të jetë një bankë model në shërbimin dhe përvojën e krijuar me klientin duke ndikuar në ngritjen e perceptimit të klientëve ndaj një niveli superior shërbimi dhe krijimin e besnikërisë ndaj bankës.
Synimi i bankës do jetë ngritja dhe zhvillimi i një banke e cila do të zhvillojë aktivitetin e vet bankar duke ofruar shërbime dhe produkte të ndryshme dedikuar individëve dhe bizneseve të Kosovës, të lançojë oferta dedikuar grupeve të ndryshme të klientëve për të qenë sa më pranë nevojave të tyre dhe të aplikojë një politikë atraktive çmimesh. CREDINS Bank do të adresojë një kulturë shitje efektive nëpërmjet stafeve në degë, por dhe nëpërmjet fushatave të marketingut duke u fokusuar dhe tek pjesa e produkteve dhe marketingut digjital. Banka CREDINS në Kosovë do jetë një pjesëmarrëse aktive në zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës, duke mbështetur planet e investimeve të bizneseve vendase ose të huaja. Mbi të gjitha nëpërmjet shtimit dhe zgjerimit të rrjetit të degëve në Kosovë, do krijojë hapësira për punësim dhe zhvillim të talenteve të reja, duke ndërtuar një kulturë korporative që promovon karrierën dhe potencialin e tyre që të ndërtojë një ekip të fortë dhe me njerëz të talentuar.
Gjithashtu, rritja dhe praktikat e mira bankare do të kenë mbështetjen nga Banka CREDINS në Shqipëri, e cila është solide në tregun bankar shqiptar duke operuar prej 17 vitesh dhe do të sigurohet që banka e re në Kosovë të ketë përshtatje shumë të mirë në treg. Banka CREDINS në Shqipëri ka 58 degë dhe renditet banka e parë në treg për nga madhësia e portofolit të kredisë dhe e dyta në total depozitash, çka tregon marrëdhënien e besueshme që mbi 300,000 klientët kanë ndërtuar ndër vite.
Shoqata e Bankave të Kosovës është themeluar në vitin 2002 si organizatë e cila shërben në funksion të bashkëpunimit ndërmjet sektorit bankar dhe autoriteteve shtetërore duke ofruar një platformë të vetme për avokim të përbashkët, diskutim të iniciativave të reja, identifikim dhe shqyrtimin e iniciativave ligjore dhe rregullative, koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta për bankat si dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit të bankave.