Cruise lanson automobilin e parë autonom

Prishtinë | 22 Jan 2020 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Cruise, kompania e re e automobilave autonomë, me “General Motorsin” si pronarin kryesor, ka shpalosur automobilin e parë të dizajnuar për të ecur vetë.

Cruise Origin elektrik ishte zhvilluar nga Honda, që po ashtu ka aksione në kompani.

Lansimi i automobilit, pa timon ose pedale, është shtyrë nga viti i shkuar.

Cruise ka thënë se ishte i dizajnuar për ndarje të ngasjes. “Nuk është produkt që ju duhet të blini, është eksperiencë që ju duhet ta ndani”.

Shefi ekzekutiv Dan Ammann dëshiron që ngasësit të kalojnë nga pronësia e një modeli në ndarje me të tjerët, për të ndihmuar që të reduktohen emetimet, aksidentet e tollovitë.

Duke folur gjatë lansimit në San Francisco, ai ka thënë se Cruise Origin nuk ishte një koncept: “Është vetëvozitës. Është elektrik. Mund të ndahet”.

Ai nuk ka treguar se kur automobili do të prodhohet apo kur do të dalë në treg. Atij i duhen teste shtesë para se të marrë lejen për të dalë në rrugë.

Kjo s’është hera e parë që Cruise hyn në tregun e automobilave autonomë. Për shumë vjet, kompania ka testuar Chevrolet Boltin e modifikuar.

General Motors kishte planifikuar lansimin e shërbimeve për automobilat vetëvozitës vitin e shkuar, por shtyu planin duke thënë se i duheshin më shumë testime.

Cruise Origin u përball me sfida të papritura për shkak të problemeve në identifikimin e objekteve.

Honda kishte blerë 5.7 për qind të aksioneve për 2.75 miliardë dollarë më 2018. Si pjesë e marrëveshjes, General Motors njoftoi për planet për automobilin vetëvozitës në tetor të 2018-s.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme