Instituti Demokraci për zhvillim (D4D), u bën thirrje të gjitha subjekteve politike, të cilat garojnë për Kryetar/e Komune dhe Kandidat/e për anëtarë të Kuvendeve Komunale në zgjedhjet lokale 2017, për zgjedhje të drejta, demokratike dhe pa incidente. Njëkohësisht D4D bën thirrje për respektimin e kodit të mirësjelljes, respektimin e heshtjes zgjedhore, si dhe përmbajtjen nga përdorimi i gjuhës që nxit konflikte.
Duke e ditur rolin e komisionerëve të subjekteve politike gjatë procesit zgjedhor, D4D gjithashtu fton të gjithë komisionerët për profesionalizëm dhe paanshmëri duke kontribuar në integritetin e zgjedhjeve.
Në frymën e një procesi zgjedhor që ka për qëllim edukimin e votuesve, e veçanërisht votuesve të rinj, D4D gjatë kësaj kohe ka realizuar fushatën ‘Zgjedh për me Zgjidhë’ Kjo fushatë edukuese ka përfshirë rreth 1200 të rinj dhe të reja, të cilët në mënyrë aktive kanë qenë pjesë e punëtorive, seancave të simulimit të zgjedhjeve, takimeve avokuese me kandidatët për kryetarë komunash dhe marrjes së informacioneve për mënyrën e votimit.
Instituti D4D fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të dielën me 22 tetor, të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.