Duke qenë para përfundimit të afatit ligjor për dorëzimin e raporteve të deklarimit financiar të fushatës elektorale, Instituti D4D u bënë thirrje të gjitha koalicioneve dhe subjekteve politike që kanë qenë pjesë e garës elektorale në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit 2017, që të respektojnë afatet ligjore të dorëzimit të raporteve të Deklarimit Financiar të Fushatës Elektorale tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ligji për financimin e subjekteve politike, përcakton qartazi afatet ligjore në të cilat duhet të raportojnë subjektet politike, afat ky i cili skadon me 26 korrik 2017.
Instituti D4D i’u rikujton subjekteve politike për zotimet e marra me rastin e nënshkrimit të deklaratës për rritjen e transparencës financiare mundesuar nga Instituti D4D me 29 maj 2017, duke u bërë thirrje që raporti financiar i shpenzimeve gjatë fushatës elektorale të bëhet publik edhe në faqet e tyre elektronike dhe të jenë në dispozicion për publikun e gjerë, duke e dëshmuar vullnetin e tyre për transparencë dhe llogaridhënie.
Publikimi me kohë i raporteve financiare të partive politike në Kosovë, është në interes të procesit të demokratizimit, dhe çdo pranim dhe shpenzim i parasë nga partitë politike duhet t’i nënshtrohet mekanizmave mbikëqyrës për të siguruar që paratë janë menaxhuar në harmoni me ligjet në fuqi që rregullojnë këtë fushë.
D4D mbetet e përkushtuar të bashkëpunojë me subjektet politike drejt ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies financiare të subjekteve politike.