Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), ka lansuar punimin “Konektivitet për Zhvillim: Rruga drejt zhvillimit ekonomik”, raporton Ekonomia Online.
Valëza Zogjani, hulumtuese e politikave nga D4D, ka treguar mbi projektet për të cilat Kosova ka qenë përfituese në agjendën e konektivitetit si dhe sfidat me të cilat është përballur në implementimin e këtyre projekteve.
Sipas saj, ndikim ka pasur edhe mosmarrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë që këto projekte të hasin në vështirësi të implementimit.
“Kosova ka qenë përfituese e dy projekteve dhe përfituese e projektit ndërkombëtar të energjisë. Kosova në 2018 ka nënshkruar marrëveshjen e parë të infrastrukturës në kuadër të agjendës për konektivitet. Ky projekt është i ndarë në tri akse rrugore që lidh Maqedoninë, Kosovën dhe Serbinë. Procesi ka mbetur peng për shkak të mungesës së marrëveshjes për punë në aksin Mitrovicë e veriut dhe Serbi”, tha ajo.
Sipas saj, në raporton e politikave nuk ka pasë informata për zgjidhje të mosmarrëveshjes që do mundësonte edhe përfundimin e aksit hekurudhor.
“Projekt tjetër që Kosova ka marrë është interkoneksioni hekurudhor Serbi- Kosovë-Shqipëri. Për momentin Kosova gjendet në fazën fillestare të projektit. Projekt tjetër përfitues është sektori i energjisë. Nëse e shohim të ndarë si pjesë të projekteve të energjisë në kuadër të agjendës janë masat e buta dhe bashkëpunimi ndërkufitar në energji. Ka pasur progres në masat e buta por prapë mbetet shteti me përparim më të ulët në krahasim me shtetet në Ballkanin Perëndimor. Sa i përket bashkëpunimit ndërkufitar është përcjellë me probleme të theksuara sidomos për shkak të mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka ndonjë iniciativë nga Kosova apo Serbia që do mundësonte bashkëpunimin ndërkufitar në sektorin e energjisë”, ka thënë ajo, raporton EO.
Zogjani ka thënë se ka mungesë të të dhënave përderisa moszbatimi i projekteve është edhe si shkak i mungesës së vullnetit politik.
Ajo tha se mosmarrëveshjet e fundit me Serbinë e Bosnjë Hercegovinën kanë pamundësuar zhvillimin e mëtutjeshëm të proceseve të agjendës së konektivitetit.
“Sfidat që po e përcjellin këtë proces në të gjitha shtetet që kanë qenë pjesë, si Shqipëria, Serbia, Kosova janë vullneti politik dhe vullneti strategjik për përfshirjen në agjendën për konektivitet. Ka vullnet politik, por kjo mbetet ende që të vihet në praktikë. Mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë e Bosnje e Hercegovinës nuk po lë hapësirë që i tërë Ballkani të nxjerrë frytet e agjendës së konektivitet që ofrojnë zgjidhje dhe afrim të këtyre shteteve në rajon”, u shpreh ajo.
Ajo ka dhënë edhe disa rekomandime.
“Mbledhja, ruajtja publikimi dhe përditësimi i të dhënave. Krijimi i një sistemi të monitorimi të performacës në nivel rajonal. Duhet të bazohet në të dhëna faktike. Bashkëpunim më i madh mes shteteve. Procedurat e financimit të përshtaten me nevojat dhe kapacitetet e brendshme. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes shteteve etj”, tha ajo.
Mona Xhexhaj, drejtoreshë programi nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri, ka adresuar problematikat në zbatimin dhe impelmentimin e kësaj agjende në Shqipëri.
“Rëndësia e agjendës nga ana strategjike është shumë e rëndësishme për gjithë zhvillimin e rajonit dhe kjo rëndësi duket qartë edhe në konstatimit në strategjitë ndërkombëtare për zhvillim dhe integrim. Në Shqipëri thuhet se kjo agjendë do shërbejë si gur themel për zhvillimin ekonomik të shtetit. Sidomos kur bëhet fjalë për infrastrukturën, për të ndihmuar më shumë në shkëmbimin e të mirave për rritjen e mundësive të punësimit, po bëhet fjalë për pjesën e energjisë. Rëndësia më e madhe në Shqipëri do ishte të zvogëloheshin humbjet dhe shkëputjet e energjisë. Kur bëhet fjalë për këto projekte po flasim për një përmirësim të standardeve të jetës së qytetarëve”, ka thënë ajo.
Ajo tha se janë katër projekte në Shqipëri ndërsa ka shfaqur rëndësinë e transparencës edhe në mediume.
Donika Emini, hulumtuese në QKSS, e ka quajtur dështim ngecjen e proceseve të Agjendës se Konektivitetit.
“Është më shumë një proces politik të cilin Kosova është dashtë më së miri me e shfrytëzu. Kosova ka pasë mundësi me u ulë e barabartë me të gjitha shtetet ku Serbia nuk ka mund të bëjë asgjë dhe Kosova nuk e ka shfrytëzuar këtë mundësi. Kosova ka dështuar”, tha ajo, raporton EO.
Ky projekt është duke u implementuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim, në bashkëpunim me organizata partnere, Transconflict Serbia dhe Lëvizja Evropiane në Shqipëri dhe mbështetet nga Fondi Evropian për Ballkanin.
Objektivi i këtij projekti është që të intensifikojë politikat infrastrukturore në mes Kosovë, Shqipërisë dhe Serbisë, në kontekstin e rritjes ekonomike.