Instituti Demokraci për zhvillim (D4D) sot lansoi hulumtimin „Sa janë të pavarura autoritetet rregullative në Kosovë”, me theks të veçantë në sektorin e konkurrencës, hekurudhave, telekomit dhe energjisë.
Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i D4D-së tha se ky punim studion nivelin e pavarësisë të katër (4) rregullatorëve: konkurencës, hekurudhave, energjisë dhe telekomit, duke e bazuar atë në tri dimensione – përzgjedhjen e Bordeve, procesin e vendimmarrjes, si dhe pavarësinë institucionale. Gjetjet e hulumtimit tregojnë ndikim politik të vazhdueshëm në autoritetet rregullative.
E Nenad Shebek, drejtor i zyrës rajonale të Heinrich Boll Stiftung, tha se rekomandimet e punimit duhet të mirren si bazë për fillimin e reformave që do të mundësonin pavarësinë e rregullatorëve.
Ndërsa Sala Berisha-Shala, anëtare e Komisioni për Zhvillim ekonomik në Kuvendin e Kosovës tha se Kuvendi si mbikqyrës i autoriteteve rregullative ka vërejtur që në vitet e kaluara shumica e rregullatorëve ka pasur mungesë të anëtarëve të bordit. Kjo ka bërë që autoritetet rregullative të jenë jo-funksionale pjesën më të madhe të kohës.
Kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve elektronike dhe postare – ARKEP, Kreshnik Gashi, tha se pavarësia financiare është parakusht i pavarësimit të rregullatorëve. Prandaj për shkak të pavarësisë financiare ARKEP, konsiderohet rregullatorë i pavarur.
Instituti D4D synon të shtyjë përpara bashkëpunimin me Kuvendin dhe Qeverinë për rekomandimet si në vijim:
– Legjislatura duhet përzgjedh anëtarët e Bordeve të rregullatorëve në atë mënyrë që asnjë post nuk duhet të mbetët i paplotësuar (vakant) deri në emërimin e anëtarëve të rinj.
– Legjislatura duhet të krijoj mekanizma të llogaridhënies për sanksionimin e autoriteteve rregullative për performancë të dobët.
– Legjislatura duhet të përcaktojë kriteret e vlerësimit të raporteve të rregullatorëve, duke e zhvilluar sistemin e monitorimit të rekomandimeve në mënyrë që rregullatorët të mbahen më përgjegjës.
– Qeveria duhet të përmbahet nga shkaktimi i shkurtimeve të buxhetit dhe në vend të kësaj duhet të ketë parasysh prioritetet dhe komentet nga autoritetet rregullative gjatë konsultimeve buxhetore.
– Qeveria duhet lejojë që autoritetet rregullative të shpenzojnë në investime kapitale me qëllim të zhvillimit të sektorëve të industrisë që ata i rregullojnë.
Punimin mund ta lexoni në uebfaqen zyrtare të Institutit D4D: http://d4d-ks.org/wp-content/uploads/2017/10/D4D_PI_11_SHQ_WEB.pdf