Daci: Koalicioni LDK-VV i pamundur, udhëheqjen duhet ta marrë Haziri

Prishtinë | 29 Gus 2017 | 08:35 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bisedimet ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi për të qeverisur vendin janë veçse humbje, vlerëson ish-kryeparlamentari Nexhat Daci.

Ish-zyrtari i lartë i LDK-së dhe njohës i mirë i zhvillimeve në këtë parti, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se “nuk ka teori” që LDK-ja mund të bashkëqeveris me Vetëvendosjen.

“Lideri i LDK-së është kërcënuar me jetë dhe kjo nuk mund të mohohet. Nuk them unë a e ka merituar apo nuk e ka merituar, se nuk është çështja e një akademiku ose kryeparlamentari; por koncepti i zhvillimit të LDK-së dhe Vetëvendosjes asnjë pikë tangjenti nuk e kanë dhe në veçanti jo kjo e sotit. Prandaj vetëm humbet kohe, dhe mjerisht janë vetëm çështje ekskluzivisht personale të liderëve të këtyre partive”, tha Daci.

Të hënën gjatë ditës kryeministri në detyrë dhe kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se me VV-në janë intensifikuar bisedimet, ndonëse thotë se nuk kanë biseduar për “temat e mëdha”, siç janë demarkacioni, bisedimet me Serbinë, formimi i ushtrisë etj.

Ish-kryeparlamentari Daci, në këtë intervistë për Ekonomia Online, foli edhe për periudhën në të cilën po kalon Lidhja Demokratike e Kosovës.

Rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ai e konsideron të turpshëm për LDK-në, duke pasur parasysh fitoret bindëse në zgjedhjet e kaluara.

Sipas Dacit, kësaj partie i duhet një “freskim total” i qeverisjes. Dështimin e LDK-së ai e krahason me dështimin e një partie në Serbi.

“LDK do ta ndjekë fatin e SPS-së së Serbisë të Millosheviqit, në qoftë se vazhdon kështu… që është turp. LDK-së i duhet ringjallje absolute, freskim absolut në qeverisje të partisë. Ka tash njerëz që edhe me vota edhe deputetë të mirë edhe anëtarë, duhet të kuptohet që çdo periudhë i ka njerëzit e vet”, ka porositur Daci.

“Unë them që LDK-në pas Rugovës e kanë marrë njerëz që nuk kanë pasur autoritet as shtëpinë e vet me udhëheq, jo një shtëpi aq të madhe. LDK gjithmonë krejt zgjedhjet i ka pasë me numër shumë të madh të votave i ka fituar. Edhe zgjedhjet e para lokale edhe zgjedhjet e para parlamentare. Duhet të nxjerret një mësim që diçka është e keqe në qeverisjen e LDK-së jo në anëtarësinë, jo te populli”.

Në pyetjen se kush do të ishte personi i cili do të kthente fuqinë që LDK e ka pasur, ai përmend kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin.

“Dikush që ka pasë autoritet prej fillimit të rugovizmit, edhe që ka tregu që edhe në udhëheqjen lokale, ka qenë dy tri herë kryetar i një komune shumë të rëndësishme, të Gjilanit për shembull. LDK ka njerëz që mund të jenë një emërues i përbashkët mes gjeneratave të reja dhe atyre që i ka kaluar mosha. LDK-ja me mbetë e treta brenda 10 vitesh, e ajo rrëshqitje do të shkojë edhe më poshtë në qoftë se nuk kthjellet”, përfundoi Daci.

Daci ka qenë kryetar i Kuvendi gjatë periudhës 2001-2006.

Të ngjashme