Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Nexhat Daci, tha se “Fjalori Enciklopedik” i AShAK-ut, nuk është enciklopedi e Kosovës, por një paradhomë e enciklopedisë që do të bëhet në të ardhmen për Kosovën.
“Vlerësimet e këshillit botues, në krye me akademik Mehmet Krajën, kanë qenë pozitive, gjithmonë me ndonjë vërejtje sepse një projekt i tillë voluminozes për herë të parë është realizuar në Akademi. Gjithmonë projekte të tilla mund të kenë lëshime. E mira e kësaj se ky fjalor nuk përmbyllet me këtë periudhë. Në ndërkohë arrijnë krijues tjerë të jenë atillë. Fakti është se opinioni interesohet dhe meriton të ketë sqarime. Unë them me përgjegjësi se kur është vendosur të krijohen forumet është bërë me nguti dhe nuk ka pasur kriter kur janë zgjedhur redaktorët. Kjo është manifestuar gjatë punës, shpeshherë unë nuk jam kyçur aty”, tha ai në një intervistë për televizionin publik.
Sipas tij, Akademia nuk ka qenë e hapur me publikun deri më tani. “Akademia ka qenë relativisht e mbyllur. Unë kam thënë se Akademia duhet të hapet, por numrat vendosin dhe tani Akademia ka filluar të hapet, për herë të parë është hapur biblioteka e saj për doktorantë e master”, pohoi Daci.
Daci: Nuk ka ligj ndërkombëtar që Ujmanin t’ia marrë Kosovës
Kryetari i ASHAK-ut, Nexhat Daci, ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe propozimin e Presidentit Hashim Thaçi për Luginën e Preshevës, por edhe për debatin se liqeni i Ujmanit mund t’i takojë Serbisë.
“Nuk ka ligj ndërkombëtar që Ujmanin t’ia merr Kosovës. Kosova ka investuar në të, edhe në Lepenc”, theksoi Daci. Sipas tij, shumica e njerëzve të Kosovës nuk kanë shkuar kurrë në veri.
Daci vlerësoi se nëse kërkohet diçka që do të jetë e dobishme, që Akademia të japë ide për zhvillimet në Kosovë, do të diskutojnë në hierarkinë më të lartë të Akademisë.
Ai tha se bashkësia ndërkombëtarë po kërkon që procesi i Kosovës të përmbyllet, pasi që ka probleme të ndryshme në botë. Daci pret që brenda disa muajve do të arrihet një unitet veprues politik në Kosovë.
Për LDK-në tha se ajo ka shkuar në të gjitha proceset që është dashur për Kosovën. Ai ka kritikuar LDK-në për shkak se në këtë kohë po kërkon zgjedhje. Sipas tij, nuk është koha e tanishme për kërkesa të tilla.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Nexhat Daci, tha se Ujmani dhe ‘Trepça’ janë prona të patjetërsueshme të Kosovës.