Prishtina nuk dëshiron dialog, por pret që Serbia nën preson të pranojë diçka për të cilën nuk do të diskutohet, diçka që do të jetë si ultimatum, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq.
Ai gjatë një paraqitjeje në televizionin serb “RTS” ka thënë se taktika e Prishtinës është që situata të “ashpërsohet” në mënyrë që të nxirret ndonjë vendim, si për shembull liberalizimi i vizave.
“Ata llogarisin të bëjnë tregti me këtë. Këto janë lojëra të cilat rrezikshëm e kërcënojnë këtë regjion. Njësoj siç ka thënë edhe presidenti Vuçiq, kemi një rresht të incidenteve që ndodhin gjithmonë në prag të zhvillimit të dialogut”, shtoi ai, transmeton lajmi.net.
I pyetur nëse është reale të pritet që deri në fund të majit të vitit të ardhshëm, deri tek skadimi i mandatit të Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, njëherësh edhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Frederica Mogherini, të arrihet një marrëveshje e përbashkët, ai ka theksuar se nëse shkohet në këtë drejtim, nuk do të arrihet as deri tek pika e parë, pasi sipas tij, Prishtina është duke e “minuar dialogun”, transmeton lajmi.net.
“Fillimisht nuk realizuan atë që kishin nënshkruar në marrëveshjen e Brukselit, e ai ka qenë kusht për mekanizma të ndryshme që do të duhej të formoheshin në Kosovë, përfshirë marrëveshjen energjetike. Tani atë temë e lidhin me disa pako të reja, të llojit nëse na pranoni në OKB, ne do ta formojmë bashkësinë e komunave me shumicë serbë. Nga kjo nuk ka asgjë. Ata llogarisin që Serbia është e dobët dhe që ajo të kthehet nga ultimatumet në mënyrë që të shtrojnë rrugën drejt inkuadrimit evropian që për ne është shumë i rëndësishëm”, theksoi ai.