Slobodan Millosheviq i ka humbur zgjedhjet më 24 shtator 2000, në pushtet erdhi DOS, e 17 vjet pas lideri SPS Ivica Daçiq thotë se këto zgjedhje kanë qenë kthesë për Serbinë, ndërsa shton se historia ka për të treguar se DOS nuk i ka shkuar as te gjunjët Millosheviqit, se më 11 mars 2006 ai është vrarë në Hagë dhe se do të dëshmojë e hakmerret për të, transmeton Koha.net.
Në një bisedë për kurir, Daçiq insiston se Millosheviq atëherë nuk i kishte humbur zgjedhjet:
“Është me rëndësi të thuhet se ai nuk ka humbur në zgjedhje sepse Koshtunica nuk ka pasur më shumë se 50 qind të votave, por pas 5 tetorit, komisioni zgjedhor me presione i anuloi zgjedhjet në Kosovë. Koshtunica kështu mezi i mori pak mbi 50 për qind të votave. Thjesht ata nuk deshën ose nuk guxuan të shkonin në xhiron e dytë. Ky ka qenë aksion i menduar që më parë. Se a do të fitonte Slloba në xhiron e dytë, mbetet pyetje, porse ai në xhiron e parë nuk kishte humbur dot”.
Shefi i diplomacisë serbe dhe kryetari i SPS, dikur bashkëpunëtor shumë i afërt Millosheviqit thotë se Serbia nuk u sulmua për shkak të ish – shefit të tij:
“Mendoj se tash është e qartë se edhe përkundër gabimeve që kishte bërë, Millosheviq nuk ka qenë arsye për t’u sulmuar Serbia. Pasi që edhe tash kemi tema e presione të tilla. Porse atëherë mendohej se është i nevojshëm eliminimi i Millosheviqit dhe se pas kësaj çdo gjë do të ishte super. U dëshmua se ky ishte mashtrim i madh, u lëshua rasti për përparim të Serbisë dhe u tradhtuan pritjet e qindra mijëra të njerëzve të rinj që kishin besuar në to”, thotë Daçiq.
“Është tragjedi e madhe që kryetari i një vendi iu dorëzua Tirbunalit të Hagës dhe kjo ndodhi në Ditën e Vidovdanit. Kjo do të mbetet e shënuar në historinë tonë. Nuk është tragjedi pse ai u rrëzua nga pushteti, ndoshta kjo është dhe e dobishme, por gjykimi i ka qenë gjykim i Serbisë dhe i popullit serb. Dhe nuk munden ta gjykojnë. Kjo është më e rëndësishmja. Prandaj e mbytën me laçe të këqija, për këtë ka dëshmi”, thotë Daçiq.
Në pyetjen se a mund të kërkohet drejtësi dhe se a ka dëshmi për vrasjen e tij, Daçiq thotë:
“Tani është vonë, por ndoshta është dashur… Por jo pushteti, veçse mbrojtësit e tij juridikë. Kam folur për këtë shumë herë dhe do t’ua lë këtë çështje avokatëve se çfarë mund të bëhet”.
Daçiq pohon se pasi Millosheviqi ra nga pushteti në vitin 2000, iu ofrua strehimi në Rusi, por ai s’e deshi: “Përfaqësues te DOS-it i ofruan të shkonte në Rusi, por ai nuk deshi, nuk deshi të iket nga atdheu”, zbulon Daçiq.