Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq ka thënë se vendet perëndimore po i kërkojnë Serbisë të pezullojë veprimet diplomatike të cilat sipas tij me sukses po arrijnë të ndikojnë në shtetet që e kanë njohur Kosovën, që të rishqyrtojë atë pozicion dhe të anulojë këto veprime, sepse kjo dëmton dialogun me Prishtinën.
“Shqiptarët u ankuan te perëndimorët për mua dhe kërkojnë nga Perëndimi për të ndaluar me këto veprime, sepse kjo po irriton shqiptarët dhe dialogun, ndërsa lobimi i tyre për njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare janë në rregull”, ka thënë Daçiq për Novosti, përcjell Telegrafi.
Ndërsa sa i përket kundërshtimeve në Prishtinë, sipas të cilave Grenada dhe Dominika e kanë tërhequr vendimin për njohjen e Kosovës, Daçiq thotë se kjo do të shihet kur të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit.
Ndryshe, shteti i Kosovës i ka mohuar të gjitha pretendimet e ministrit serb të Punëve të Jashtme, që ndonjë shtet ka tërhekur njohjen për Kosovën.
Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka thënë për Telegrafin se këto janë shpifje të radhës së Serbisë ndaj Kosovës.