Daçiq paralajmëron dorëheqje

Prishtinë | 06 Nën 2017 | 13:43 | Nga

Shefi i diplomacisë serbe dhe lideri i Partisë socialiste serbe (SPS) Ivica Daçiq ka paralajmëruar tërheqjen nga pozita e kryetarit të partisë në krye të së cilës është prej vitit 2006, kanë publikuar mediet beogradase të hënën.

“Mua askush nuk mund të më shkarkojë, unë mund të shkoj vet, për çka edhe jam duke menduar. Me siguri nuk do të kandidohem më për kryetar të partisë”, ka deklaruar Daçiq për gazetën “Kurir”, transmeton gazetametro.net.

Duke komentuar pohimet e mëhershme të kësaj gazete se si nënkryetari aktual i socialistëve Branko Ruzhiq dëshiron ta shkarkojë dhe ta marrë pozitën e tij në SPS, Daçiq ka paralajmëruar mundësinë që kongresi i partisë, në të cilin zgjidhet udhëheqja e partisë dhe organet e saj, të mbahet më herët seç është paralajmëruar.

“E kam ngritur partinë nga hiri pas 5 tetorit (të vitit 2000, kur ka rënë regjimi i kriminelit Slobodan Milosheviq)… Për gjithçka jam unë gjithmonë fajtor, edhe në parti edhe në koalicion, dhe ka ardhur koha që të jepet fund kësaj. Ka ardhur koha të them mjaft!”, ka thënë Daçiq, partia e të cilit është partner i koalicionit i Partisë Përparimtare Serbe të ish-kryeministrit dhe tani kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Daçiqi në kohën e Slobodan Miloseviqit ishte kryetar i socialistëve të rinj të Beogradit në vitin 1990 dhe zëdhënësi i Partisë Socialiste Serbe (SPS) prej vitit 1992 deri 2000, ka qenë udhëheqësi i Këshillit të qytetit të SPS dhe gjithashtu edhe nënkryetar i socialistëve prej vitit 2000 deri 2003. Ishte kryeministër i Serbisë prej vitit 2012 deri 2014.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme