Kryetari i Kuvendit të Serbisë Ivica Dacic ka thënë se presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretarja Medeleine Albright “kanë gënjyer se serbët kryen masakra e vranë civilë”. Ai ka reaguar edhe ndaj deklaratave të Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon për siç thotë ai akuzat ndaj Beogradit, raporton Tanjug, transmeton Gazeta Express.
Dacic ka thënë se të gjithë janë të kënaqur që Eliot Engel nuk do të jetë më në Kongres, dhe paraqitja e ish-Sekretares Medeleine Albright provokoi zemërim tek Serbët, sepse ajo ishte në administratën e Bill Clintonit që “vranë njerëz këtu për Shqipërinë e Madhe”.
“Clinton dhe Albright gënjyen se serbët kryen masakra, vranë civilë dhe në fund doli se asnjëra s’ishte e vërtetë”, ka thënë Dacic.
Duke folur në Tv Pink, Dacic ka thënë se ishte jodiplomatike, e vrazhdë, jo politike sjellja e dikujt në pozicionin e tillë, duke shtuar se Von Cramon ka marrë një përgjigje nga kolegu i saj në Parlamentin Evropian i cili kritikoi pozicionin e saj.
“Ata nuk janë të kënaqur që ne nuk jemi në harmonizim dhe që nuk duam të bëjmë dicka që rrezikon interest tona kombëtare. Shqipëria ka pasur një politikë harmonizuese me BE’në 100 përqind, ata menjëherë pranojnë gjithcka që vjen nga BE’ja, dhe prapë nuk hapën negociatat. Kjo është komplet irelevante. Është gënjeshtër që ne do të kemi përshpejtim të integrimit në BE”, ka thënë Dacic.
Ai tha poashtu se nuk ka efekt presioni mbi 5 vendet e BE’së që nuk e kanë njohur Kosovën pasi këto shtete kanë problemet e veta dhe kësisoj kanë këtë qëndrim dhe Brukseli nuk mund ta përcaktojë qëndrimin e tyre për këtë cështje.
Dacic tha se BE’ja nuk i ka pëlqyer asnjëherë marrëeshja e Uashingtonit, dhe shumë në Evropë nuk e kanë përkrahur presidentin Donald Trump, por kanë përkrahur Joe Bidenin.
“Ndikueshmëria e Viola Von Cramon në politikën ndërkombëtare është zero dhe ne nuk duhet të jemi të shqetësuar për deklaratat. Ne e dimë cila është politika jonë, është e rëndësishme të japim përkrahje për këtë cështje ndaj atyre që kanë ndikim në vendime”, tha Dacic.