Për herë të parë këngëtari portorikan Daddy Yankee do të prekë Tiranën, mbrëmjen e 27 korrikut, për të ndezur sheshin “Skënderbej” në një koncert live.
“Daddy Yankee është një influencë në industrinë e muzikës. Kur ne nisëm të mendonim se kë artist mund të sillnim në Shqipëri, menduam se Daddy Yankee do të ishte i përshtatshëm dhe ai menjehere pranoi kur ia propozuam këtë. Është diçka e madhe për Shqipërinë, sepse është hera e parë që një artist spanjoll do të vijë të performojë në qendër të qytetit, është një gjë e veçantë”, thotë Hugo Van Heijningen, Drejtor.
Enca dhe Ledri Vula janë dy artistët që do të ngrohin atmosferën në sheshin Skënderbej, para se Daddy Yenkee të ngjitet në skenë në një show të vërtetë prej 90 minutash.
“Ai është një artist që këndon tashmë prej dekadash, 40 dhe 45-vjeçaret e sotëm janë rritur me këngët e tij, por edhe të rinjtë që janë 15-16 vjeç, i pëlqejnë këngët e tij. Do të jetë një program i plotë. Daddy Yankee nuk do të këndojë 3 apo 4 këngë, por do të jetë një program që do të zgjasë rreth 1 orë e 30 minuta”, thotë Van Heijningen.
Biletat për koncertin shiten në sheshin “Skënderbej”. Të ndara në disa kategori, ato nisin nga 19.5 euro, ndërsa për ata që duan më shumë komoditete si tavolina, ndenjëse dhe një pamje më të mirë të skenës, koncerti rezervon zonat Vip Gold, Platin dhe Diamant.